Celebrities Gossip Showbiz

Doktorët menduan se do të vdiste? Emilia Clarke rrëfen dramën e fshehur gjatë “Game of Thrones”!

Aktorja britanike Emilia Clarke ka bërë një rrëfim tronditës për betejën e saj të fshehtë me shëndetin gjatë periudhës kur po xhironte serialin fenomen “Game of Thrones”.

39-vjeçarja tregoi se dy hemorragjitë në tru që pësoi gjatë suksesit të serialit e bënë të jetonte për një kohë të gjatë me bindjen se mund të vdiste në çdo moment.

Në një intervistë në podcast-in “How To Fail with Elizabeth Day”, Clarke kujtoi momentin dramatik kur gjithçka nisi pas sezonit të parë të serialit. Ajo u rrëzua gjatë një stërvitjeje në Londër dhe ndjeu një dhimbje të tmerrshme në kokë.

Mënyra më e afërt për ta përshkruar është si një elastik që këputet rreth trurit

-u shpreh aktorja, duke shtuar se në ato sekonda e kuptoi se diçka shumë serioze po ndodhte.

Ylli që interpretoi Daenerys Targaryen pranoi se një nga frikërat më të mëdha ishte se sëmundja mund t’i shkatërronte karrierën. Ajo zgjodhi ta mbante gjithçka larg syrit të publikut, pasi ndihej e turpëruar dhe e pambrojtur emocionalisht.

Situata u rëndua edhe më shumë kur pësoi një aneurizëm të dytë dhe iu nënshtrua një operacioni urgjent. Sipas saj, mjekët u kishin thënë prindërve se gjendja ishte kritike dhe se ekzistonte rreziku real që ajo të mos mbijetonte.

Pas gjithë traumës, Clarke tha se u përball me izolim emocional, ankth dhe ndjenjën e dështimit.

Nuk kujdesesha më për veten. Ndihesha e thyer dhe shumë e vetmuar

Sot, aktorja thotë se ajo periudhë e errët e ndryshoi përgjithmonë dhe e bëri më të fortë. Përvoja e saj e ka shtyrë të flasë hapur për dëmtimet në tru dhe të mbështesë personat që kalojnë situata të ngjashme.