Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
“E hap telefonin vetëm për të parë orën… dhe papritur je në një video me mace që bëjnë yoga në Japoni. Si ndodhi kjo?”
Mirë se erdhe në klubin e “doomscrolling”. Po, ai momenti kur hyn për 2 minuta dhe del pas një ore, pak më i lodhur, pak më i stresuar dhe me zero ide pse pe 47 video rresht. Sipas studimeve, rreth 64% e njerëzve e bëjnë këtë çdo ditë. Pra në thelb, nuk je ti problemi… është “algoritmi” që ka vendosur të të mbajë peng si një serial turk me 900 episode.
Problemi? Nuk është vetëm humbja e kohës. Studiuesit thonë se ky zakon ul përqendrimin, lodh trurin dhe të prish gjumin. Pra në vend që të flesh si njeri normal, ti je aty në 2 të mëngjesit duke parë video që s’kane ndonjë benefit. Një lloj marrëdhënie toksike… por me telefonin.
Zgjidhja nuk është të bëhesh filozof dhe të heqësh dorë nga telefoni. Le të jemi realistë. Por ka alternativa më “smart”. Aplikacione si Radio Garden të lejojnë të dëgjosh radio nga gjithë bota – pa drama, pa komente, vetëm vibe. Ose Elevate që të trajnon trurin, që të paktën kur humb kohë… ta bësh me stil. Edhe NYT Games, ku në vend që të shohësh njerëz duke debatuar, debaton me fjalët vetë.
Dhe po, opsioni më “hardcore”: long-form content. Video më të gjata. Sepse short format na ka kthyer në njerëz që s’durojmë dot as 10 sekonda pa bërë swipe.
Pra pyetja është:
A do vazhdojmë të jetojmë në loop me scroll… apo do fillojmë të përdorim telefonin vertet si mjet pune?
Sepse në fund… nuk është telefoni që po të kontrollon. Apo është?