Aktualitet Politikë

Dorëheqje e Ramës dhe qeveri teknike, sot protesta e opozitës në Tiranë!

Partia Demokratike iu bëri thirrje strukturave dhe mbështetësve, për pjesëmarrje masive në tubimin kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Në një mesazh, Selia Blu thotë se “Edi Rama ndodhet në izolim ndërkombëtar dhe përballë drejtësisë, ndërsa është momenti për reagim qytetar”. Protesta synon dorëheqjen e kryeministrit dhe hapjen e rrugës për një qeveri teknike për zgjedhje të reja.

Mesazhi:

Të dashur demokratë: Edi Rama është izoluar ndërkombëtarisht. Në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk ndalet deri në rrëzimin e tij. Deri në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Detyra jonë është ta rrëzojmë. E diel, ora 18:00, në bulevard, thuhet në mesazhin e Partisë Demokratike.

Një ditë më parë, kreu i opozitës, Sali Berisha, iu bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar protestën e mbrëmjes para godinës së Kryeministrisë, si “kryengritjen më të madhe paqësore të opozitës”.

Një apel në Facebook edhe nga nënkryetari demokrat, Luçiano Boçi:

NËSE…

Nëse nuk pranon të jetosh në një vend ku vjedhja quhet qeverisje, protesto!

Nëse nuk pranon që varfëria jote të ushqejë luksin e tyre, protesto!

Nëse nuk pranon që fëmijët e tu të ikin, sepse këtu po mbeten vetëm banditizmi dhe padrejtësia, protesto!

Nëse nuk pranon që nëna e babai pensionist të numërojë kafshatat, ndërsa pushteti numëron milionat, protesto!

Nëse nuk pranon që i ndershmi të shtypet dhe hajduti të lartësohet, protesto!

Nëse nuk pranon që taksat e tua të kthehen në pasuri për një grusht njerëzish, protesto!

Nëse nuk pranon që Shqipëria të trajtohet si plaçkë personale e Edi Ramës, protesto!

Nëse nuk pranon që heshtja të bëhet ligj dhe frika të bëhet mënyrë jetese, protesto!

Nëse nuk pranon që të të marrin dinjitetin, zërin dhe të ardhmen, protesto!

Protesto, qytetar!

Jo për një parti.

Jo për një karrige.

Por për fëmijët, për familjen, për dinjitetin, për Shqipërinë.

Mos rri ulur kur të vjedhin!

Mos rri i heshtur kur të poshtërojnë!

Mos rri spektator kur të boshatisin shtëpinë, qytetin, Shqipërinë!

Ngrihu kundër varfërisë!

Ngrihu kundër korrupsionit!

Ngrihu kundër padrejtësisë!

Ngrihu kundër Edi Ramës!

Sepse një popull që hesht përballë së keqes, ushqen forcën e tiranisë!

Hajde sot në protestë, ndryshe nesër je nën zgjedhë!