Aktualitet

Dosja “Metamorfoza”, Pëllumb Gjoka tërhiqet nga gjykimi i shkurtuar!

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, i pandehur në dosjen e bujshme “Metamorfoza”, ka vendosur të tërhiqet nga përfitimi i gjykimit të shkurtuar. Sipas avokatit të tij, ndarja e çështjes dhe mënyra e administrimit të provave përbëjnë një dëm të drejtëpërdrejtë për klientin. Ndërkaq, shpresa për një qëndrim të prerë nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vlefshmërinë e provave të siguruara përmes aplikacionit SKY ECC, nuk është materializuar.

“Patëm pritshmëri që Gjykata Kushtetuese të deklaronte të pavlefshme provat e marra nga komunikimet në SKY ECC, por për fat të keq kemi një vendim as mish, as peshk, u shpreh avokati i tij.

Gjoka është një nga personazhet kryesorë të përfshirë në këtë dosje, ku SPAK-u ka ngritur akuza për veprimtari të paligjshme që janë zbuluar edhe përmes përgjimeve të sistemit të koduar të komunikimit SKY ECC.

Arben Nela, avokati i ish-prokurorit Xhevahir Lita, kërkon ndarjen e çështjes ndaj tij me pjesën tjetër të të pandehurve të dosjes “Metamorfoza”.

Kërkojmë ndarjen e çështjes për të pandehurin Xhevahir Lita. Për shkak se hetimi ndaj tij ka qenë i plotë. Lita ka paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar.

Gentian Rumano:

Si përfaqësues i Ardit Hasanbegajt, kërkoj gjykim të shkurtuar. I pandehuri e ka kërkuar edhe në seancë paraprake dhe e ka shënuar në çdo deklaratë. Mendojmë se çështja mund të zgjidhet në fazën ku janë aktet, prova të tjera nuk kemi për të paraqitur. Nëse pranohet kjo kërkesë, kërkojmë edhe veçimin e çështjes.

Edhe avokati i Astmer Bilalit kërkon gjykim të shkurtuar. Oltion Bistri, gjithashtu përmes avokatit kërkoi gjykim të shkurtuar.

S’ka kërkesa për marrjen e provave të reja, nuk ka kërkesa për pavlefshmëri të provave. Kërkojmë të ndahet çështja ndaj tij, u shpreh Elton Domi, avokati i Oltion Bistrit.

Elton Hyseni, avokat i Behar Bajroviçit:

Kërkoj gjykim të shkurtuar. Për ndarjen e çështjes e lëmë në vlerësim të gjykatës.

SPAK-u shprehet kundër ndarjes së dosjes. Prokurori Arben Kraja:

Provat janë të përshkruara konkretisht nga faqja 86-100. Të dhënat e SkyECC janë harmonizuar me prova të tjera. Për ndarjen e çështjes jemi kundër sepse mund të dëmtohet shqyrtimi i çështjes.

Gjykata tërhiqet për vendim nëse do pranojë ose jo kërkesat për ndarje të çështjes ose jo si dhe të formës së gjykimit.