Me urdhër të Gjykatës së Posaçme GJKKO, është arrestuar këtë të premte në Shkodër Safet Bajri, një emër i njohur i botës së krimit dhe i akuzuar për grup kriminal, kushëriri i tij Behar Bajri dhe krahu i djathtë i tij Astmer Bilali. Dy të fundit tashmë ndodhen të arrestuar në kuadër të dosjes ‘Metamorfoza’.
Fillimisht Bajri është shoqëruar në Komisariatin e Shkodrës nga RENEA dhe më pas është nisur drejt Tiranës, ku pritet të përballet me drejtësinë.
Arrestimi i Safet Bajrit vjen vetëm tri ditë pasi forcat speciale RENEA ushtruan kontrolle në disa banesa, në zonën e Dobraçit, që njihet si lagjja e fisit Bajri, mes të cilave edhe në banesën e Safet Bajrit.
Ai akuzohet për trafik droge e prostitucion nga Gjykata e Brukselit. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim. Ndërsa në Shqipëri, Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh.
Safet Bajri, i njohur edhe si “i forti” i Shkodrës, po hetohet nga drejtësia shqiptare edhe për masakrën e Dobraçit, më 30 tetor 2024, ku u vranë Hamza Lici dhe Arlind Bushati, ndërsa breshëria e plumbave ju mori jetën edhe dy kalimtarëve, burrë e grua, Bashkim e Flutura Basha.
Një tjetër ngjarje kriminale për të cilën po hetohet Safet Bajri dhe anëtarë të tjerë të grupit “Bajri” është edhe përplasja me armë zjarri në Bushat të Shkodrës më 23 gusht 2024.
Disa anëtarë të grupit Bajri, një pjesë e të cilëve të identifikuar nga SPAK, të armatosur deri në dhëmbë dhe me makina të blinduara, kishin organizuar gjithçka për të vrarë rivalin e tyre, Aleksandër Prendin, dhe familjarët e tij. Ky i fundit ju përgjigj grupit me plumba dhe nga përplasja me armë zjarri nuk pati viktima apo të plagosur.
Gjithashtu, Safet Bajri dyshohet se bashkëpunoi me Asmer Bilali për vrasjen në vitin 2018 të Fatbardh Licit, kunati i Lulzim Kullës, ky i fundit një emër tjetër i njohur i botës së krimit.
Fiset Bajri dhe Lici, të njohur në qytetin e Shkodrës, kanë një historik të përgjakshëm përplasjesh, me një sagë të gjatë vrasjes mes të dy grupeve kriminale.
Tjetër masë për Astmer Bilalin
Astmer Bilali njihet nga shumë si boksier i Vllaznisë, por kjo nuk e ka penguar të jetë pjesë e një prej grupeve kriminale në Shkodër. Atij iu komunikua tjetër masë arresti në qeli sot, pas shoqërimit të Safet Bajrit, i cili dyshohet për vrasjen e Fatbardh Licit në 2018 në Shkodër.
Fillimisht emri i tij u bë mediatik kur mbeti i vrarë shoku i tij Arjan Ferracaku, më 1 shtator 2018, teksa kalëronte në resortin e Astmer Bilalit në zonën e Livadheve në Shkodër. Atë ditë Bilali u plagos nga plumbat e agresorëve, të cilët dyshohet se e patën shënjestër, por gabuan. Asmer Bilali u arrestua në operacionin “OAZ” në shtator 2018 bashkë me 10 anëtarë të fisit Bajri për prodhim dhe armëmbajtje pa leje, organizimi i lotarive të palejuara, pastrim parash, gjobëvënie, prodhim dhe shitje narkotikësh. Në prill 2019 Asmer Bilalit i vranë babanë dhe xhaxhain, Astrit dhe Brahim Bilalin.
Ndaj Astmer Bilalit rëndojnë akuzat për sigurim kushtesh për të kryer vrasje të ngelur në tentativë ndaj shtetasve Dorjan Duli, Ibrahim Lici dhe Genc Tafili. Bilali është në qeli pas megaoperacionit Metamorfoza në korrik 2023.