“Dosjet e Jeffrey Epstein-it, të publikuara nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, zbulojnë informacione shumë shqetësuese e vërtet të tmerrshme”. Kështu deklaroi ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë ku iu referua skandalit, për të cilin është në vështirësi.
Kur nga një gazetar u pyet se si sjellja e supozuar e udhëheqësve perëndimorë në dosje pasqyron vlerat perëndimore, Clinton u përgjigj se “është e tmerrshme”, teksa shtoi:
Shpresojmë që, e dini, do të ketë publikime të vazhdueshme me kalimin e çdo dite.
Komentet e ish-sekretares së Shtetit vijnë ndërsa Europa po tronditet nga saga e Epstein-it, me zyrtarë mbretërorë dhe qeveritarë nga disa vende që përballen me skandale.
Megjithatë, Clinton vuri në dukje se vetëm pse emri i dikujt është në dosje, nuk do të thotë se ai ka kryer një krim.
Ish-Zonja e Parë e Amerikës tha se informacioni “duhet të jetë plotësisht transparent” në mënyrë që njerëzit të mund “jo vetëm të shohin se çfarë ka në të, por edhe, nëse është e përshtatshme, t’i mbajnë njerëzit përgjegjës”.
Bashkëshorti i saj, ish-presidenti Bill Clinton, gjithashtu figuron midis emrave të shumtë të profilit të lartë të përfshirë në dosjet Epstein.
Bill dhe Hillary Clinton do të dëshmojnë si pjesë e hetimit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve ndaj Epstein-it. Kjo pritet të ndodhë në fund të këtij muaji, pas muajsh debatesh.
Bill Clinton ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje që lidhet me ish-financierin pedofil.
Një zëdhënëse e Clinton-it ka deklaruar vazhdimisht se ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë i ndërpreu lidhjet me Epstein-in, që përpara se ai të akuzohej për ndihmë dhe nxitje të prostitucionit në vitin 2006 e se nuk ishte në dijeni të krimeve të tij.