Aktualitet

“Dozat”, në Bilisht arrestohet 28-vjeçari që shpërndante drogë!

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dozat”, goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike në doza. Në flagrancë u arrestua një 28 vjeçar me inicialet E.M., banues në Bilisht, i cili në doza shiste lëndë narkotike të dyshuar kanabis, në qytetin e tij.

Njoftimi zyrtar policor

Po ashtu, në kuadër të operacionit u procedua në gjendje të lirë shtetasi A.B., 22 vjeç, banues në Hoçisht, Devoll, pasi dyshohet se kishte blerë një sasi kanabisi nga 28-vjeçari.  U sekuestruan në cilësinë e prova materiale dhjetëra doza kanabisi të ndara gati për shitje, një sasi kanabisi në formë boçe, dy peshore elektronike dhe dy aparate celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ky nuk është i vetmi operacion anti-cannabis i njoftuar për sot. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Komisariatet në varësi, lokalizuan e asgjësuan 12 mijë e 203 bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë, të llojit cannabis sativa.