Në kuadër të operacionit policor “Koordinata” në qarkun e Shkodrës janë gjetur dhe asgjësuar 9 mijë e 317 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa. Sot policia njoftoi se shpalli në kërkim një 52-vjeçar, i cili kishte kultivuar bimë narkotike në banesën e tij, në fshatin Kamicë si dhe u procedua penalisht, për shpërdorim detyre, kryetari i fshatit Ndrejaj.
Në territorin e njësive administrative Shosh e Pult, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 4 mijë e 403 bimë të dyshuara narkotike, cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N.V, njoftoi policia.
Sipas bluve, në territorin e njësive administrative Kastrat e Qendër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, gjetën dhe asgjësuan 347 bimë të dyshuara narkotike cannabis.
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi A.H., 52 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar 46 bimë narkotike në banesën e tij, në fshatin Kamicë. Policia njoftoi se në territorin e njësive administrative Shllak e Temal, policia e Vaut të Dejës gjeti dhe asgjësoi 4 mijë e 547 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në territorin e njësisë administrative Fierzë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë gjetën dhe asgjësuan 20 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.