Aktualitet

Nga Kanadaja vinte drogë me postë në Shqipëri, në pranga një 22-vjeçar!

Goditje një tjetër rast i dërgesave të drogës me postë. Policia e Tiranës njofton se ka finalizuar operacionin e koduar “Kontinenti”. Në pranga ra shtetasi Orest Kurtaj, 22 vjeç, banues në Shkodër, i kapur në flagrancë në një degë postare në Vorë, teksa merrte një pako me 7 kilogramë Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC-je, e dyshuar si e trafikuar nga Kanadaja.

Pakoja përmbante 3 kuti kartoni me figura lodra fëmijësh dhe secila kishte nga dy paketime të presuara e të mbushura me material bimor të dyshuar Cannabis Sativa.

Hetimet e deritanishme kanë çuar edhe në identifikimin e porositësit të pakos, shtetasit Z.M., i cili u shpall në kërkim, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Policinë e Rinasit dhe filialin e Qendrës Tranzite të Postës Shqiptare, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.