Bota Lifestyle

Drejtuesit e suksesshëm kanë armën sekrete!

Teksa bota e punës është gjithnjë e më komplekse dhe drejtuesit ndodhen përballë presioneve të vazhdueshme për të vepruar shpejt e me vendosmëri, aftësitë për të mbajtur një ekuilibër mes të dhënave, eksperiencës dhe ndjesisë së brendshme është bërë thelbësore.

Një nga tiparet që po vlerësohet gjithnjë e më shumë në drejtim nuk është vetëm inteligjenca emocionale apo mendimi strategjik, por intuita.

Në kuptim më të thellë, intuita nuk është ndonjë “fuqi magjike”, por një aftësi e brendshme që na ndihmon të kuptojmë diçka menjëherë, pa pasur nevojë për një analizë të gjatë ose për të ditur të gjitha faktet. Shpesh është si një ndjesi në stomak, një paqartësi që nuk mund të artikulohet, por që sinjalizon se “diçka nuk është në rregull”.

Eksperti Marcel Schwantes shpjegon se “intuita është një prej mjeteve më të vlefshme për drejtuesit modernë, por vetëm nëse shoqërohet me integritet dhe vetëdije”. Vetëm kështu ajo mund të shërbejë si mbrojtje nga gabimet, vendime të gabuara në punësime apo projekte që duken joshëse, por nuk përputhen me vlerat themelore të një organizate.

Në praktikë, intuita ndihmon në disa drejtime kyçe:

Në marrjen e vendimeve

Një pauzë e shkurtër pas çdo takimi apo diskutimi mund të shërbejë për të reflektuar mbi ndjesinë e brendshme: “A ndihem mirë me këtë vendim?”, “A ka diçka që po më shqetëson?”

Në përzgjedhjen e njerëzve, CV-ja mund të jetë perfekte, por mungesa e kureshtjes, energjisë apo përgjigje të mjegullta në intervistë janë sinjale për t’u marrë seriozisht.

Në ndërtimin e kulturës së punës

Kultura nuk ndërtohet vetëm me përfitime apo slogane, por me atë që drejtuesit tolerojnë dhe çfarë shpërblejnë. Nëse diçka në sjelljen e ekipit “nuk të duket e drejtë”, nuk është e rastësishme, është një thirrje për të ndërhyrë.

Në gjuhën e trupit

Trupi shpesh flet përpara mendjes: shpatulla të tensionuara, lodhje pas një bisede, frymëmarrje e parregullt. Janë sinjale për t’u dëgjuar.

Fraza si “Nuk jam i sigurt pse, por kjo nuk më duket në rregull”, “Nuk jam i qetë për këtë drejtim”, apo “E kam parë këtë model më parë dhe përfundoi keq”, nuk janë për t’u anashkaluar. Shpesh, ato janë mburoja që të mbron nga përsëritja e gabimeve të së kaluarës.

Nëse mëson të dëgjoni intuitën dhe të drejtoni me integritet, keni në dorë një nga mjetet më të fuqishme që lidershipi mund të ofrojë. Dhe kjo është një aftësi që nuk mësohet në manuale apo tekste shkollore, por zhvillohet përmes vëmendjes ndaj vetes.