Trafiku ajror në Aeroportin e Kopenhagenit u pezullua papritur mbrëmjen e djeshme, pasi disa dronë të paautorizuar u vunë re në hapësirën ajrore përreth. Sipas autoriteteve daneze, dy ose tre avionë të mëdhenj u konstatuan duke filluar nga ora 20:26 sipas asaj lokale. Masa emergjente çoi në mbylljen e plotë të aeroportit në orën 20:30, duke ndaluar të gjitha ngritjet dhe uljet.
Dhjetëra fluturime u devijuan në aeroporte alternative në Danimarkë dhe vendet fqinje, ndërsa qindra pasagjerë mbetën të bllokuar duke pritur udhëzime të mëtejshme. Policia që reagoi menjëherë, konfirmoi se hetimet janë duke vazhduar. Pati spekulime se dronët e mëdhenj ishin avionë ushtarakë. Aeroporti danez u rihap rreth orës 01:00 të mëngjesit, por misteri rreth dronëve mbetet i pazgjidhur: Aeroporti i Oslos, Norvegji, u mbyll për të njëjtën arsye, vetëm për t’u rihapur tre orë më vonë.
Zelensky: Shkelja e hapësirës ajrore daneze u bë nga rusët
Në X, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky njoftoi se me shefen e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, Kristalina Georgieva diskutoi “shkeljet e hapësirës ajrore të shteteve anëtare të NATO-s nga Rusia, përfshirë edhe më 22 shtator në Kopenhagen”.
Shkëmbyem mendime në lidhje me arsyet. Nëse ndaj provokimeve nuk ka një përgjigje vendimtare nga aleatët, si shtetet ashtu edhe institucionet, Rusia do të vazhdojë të kryejë shkelje të tilla.
Ndërkohë, as është konfirmuar e as është mohuar se dronët janë rusë. Aeroporti i Kopenhagenit është kryesori i Danimarkës dhe një nga më të ngarkuarit në Europën Veriore, me miliona pasagjerë që kalojnë çdo vit. Mbyllja e tij, edhe vetëm për pak orë, ka pasoja të rëndësishme për të gjithë sistemin ndërkombëtar të udhëtimit ajror, veçanërisht për fluturimet midis Europës e Azisë. Incidenti e ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e sigurisë së hapësirës ajrore dhe cënueshmërinë e infrastrukturës strategjike ndaj kërcënimeve jokonvencionale.
Po mbrëmjen e djeshme, një incident i ngjashëm ndodhi në Aeroportin e Oslos, ku prania e dronëve detyroi trafikun ajror të përqendrohej në një pistë të vetme. Më pas u mor vendimi për mbylljen e aeroportit për më shumë se tre orë. Edhe në këtë rast, prania e një droni duket se ka shkaktuar mbylljen. Ky incident, i kombinuar me atë në Kopenhagen, vjen në mes të alarmit në rritje në Europën Veriore, ku burimet e sigurisë po raportojnë një rritje të aktiviteteve sabotuese që i atribuohen Rusisë dhe ndërhyrjeve në hapësirën ajrore të NATO-s në javët e fundit.