Ushtria e Kuvajtit njofton se zbuloi dhe reagoi ndaj disa “dronëve armiqësorë” në hapësirën ajrore të vendit, mëngjesin e sotëm. Ky është incidenti i parë i këtij lloji që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit në luftën me Iranin, në muajin prill.
Sipas autoriteteve, mbrojtja ajrore u përgjigj menjëherë, duke neutralizuar mjetet fluturuese pa pilot, ndërsa nuk raportohet për viktima, të lënduar apo dëme materiale.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe u përballën me një sulm të ngjashëm dhe mbrojtja ajrore e tyre ndali dy raketa balistike iraniane e tre dronë, duke lënë tre persona të plagosur.
Kuvajti kishte raportuar më herët përballje të mbrojtjes ajrore me raketa dhe dronë iranianë gjatë konfliktit, përfshirë një valë sulmesh më 8 prill, që shënjestruan infrastrukturën jetësore të vendit.
Incidenti i fundit shihet si një provë e brishtësisë së armëpushimit dhe rrezikut të rikthimit të tensioneve në rajon, ndërsa autoritetet kuvajtiane kanë theksuar se do të vijojnë të mbrojnë hapësirën ajrore, si dhe sigurinë kombëtare.