Bota Travel

Duke mësuar edhe “sekretet”, ja si të planifikoni udhëtimin tuaj të ëndrrave në bregdetin e Amalfit!

Pavarësisht nëse po eksploroni vijën bregdetare me varkë, makinë apo në këmbë, apo po shijoni blerjet midis butikëve plot jetë, duke shijuar ushqime të shijshme dhe duke pirë kokteje krahas perëndimeve spektakolare të diellit, Bregu i Amalfit mbetet një destinacion ikonik për pushime. Në këtë artikull do të gjeni sugjerimet për pesë hotelet më të famshme të zonës së bashku edhe me disa prej sekreteve të tyre për një përvojë unike në Bregun e Amalfit.

Maurizio Orlacchio, menaxheri i përgjithshëm i hotelit të ri mbi shkëmbinjtë Borgo Santandrea

Vendi im i preferuar në Bregun e Amalfit

Bregu i Amalfit është i njohur në mbarë botën për peizazhin e tij, por shumë pak njerëz dinë për një vend magjepsës që quhet Lugina e Ferriere-s. Kjo ish-qendër industriale me farkëtarë hekuri dhe fabrika letre është tashmë një rezervat natyror dhe “shtëpia” e një bime të rrallë fieri, me rrënjë që datojnë prej 65 milion vjetësh. Por për vendasit, atraksioni kryesor janë ujëvarat, të cilat kanë një bukuri të jashtëzakonshme, si në përralla. Pasuritë për t’u admiruar gjatë kësaj shëtitjeje përmes një pylli madhështor janë të panumërta.

Për një eksperiencë të paharrueshme

Bëni një xhiro me një varkë tradicionale peshkimi dhe zhytuni në gjiret kristalore të ishujve Li Galli, notoni në Fjordin Furore dhe shkoni për drekë në Nerano. Nëse jeni me fat, mund të shihni edhe delfinët…

 

Për peizazhet më të bukura

E ndërtuar mbi një shkëmb ku dikur ndodheshin rrënojat e një vile romake, Villa Cimbrone dhe kopshtet e saj historike ofrojnë një nga pamjet më spektakolare të gjithë Bregut të Amalfit. Shëtitorja kryesore quhet Viale dell’Immenso dhe të çon përmes parkut dhe kopshteve të mrekullueshme, ku mund të admirosh tempuj të vegjël, një pergolë të dekoruar me statuja të bukura. Në fund të kësaj rruge ndodhet pika më e famshme e vëzhgimit: Tarraca e Pafundësisë. Ajo të jep ndjesinë sikur shikon drejt pafundësisë, ndërsa pamja humbet në ujërat e kaltër. Duke u mbështetur mbi kangjellat e zbukuruara me bustet e mermerit, mund të ndalesh për një çast dhe të përjetosh panoramën perfekte mbi Gjirin e Salernos.

Po ashtu, Punta Campanella, një rrip toke midis Gadishullit të Sorrentos dhe Bregut të Amalfit, ofron pamje mahnitëse mbi Gjirin e Napolit, Salernon, malin Vesuvius dhe ishullin Capri. Bukuria natyrore e Punta Campanella ka mbetur pothuajse e pandryshuar me kalimin e kohës, duke e bërë atë një nga vendet më autentike për të vizituar.

Specialitetet vendase që duhen provuar

Është e vështirë për të bërë një renditje, por këto janë të preferuarat e mia: mozarela bualli nga Agerola; colatura di alici (vaj i distiluar i açuges) nga Cetara (Delfino Battista); spaghetti alla Nerano; dhe ‘pasticciotto’ i famshëm me limon nga pastiçeria Pansa në Amalfi.

Një sekret që vetëm vendasit e dinë…

Në anën e majtë të Borgo Santandrea, duke parë drejt Amalfit, pikërisht aty ku shkëmbi i madh i Monti Lattari zbret drejt detit, mund të dallosh fytyrën e një burri të moshuar me hundë të madhe dhe mjekër të spikatur, i cili duket sikur është shtrirë në gjumë dhe zgjohet çdo mëngjes me lindjen e diellit.

Pse dashuria për Bregun e Amalfit është kaq e madhe?

Bregu i Amalfit është destinacioni italian që i ka të gjitha: një përzierje perfekte mes bukurisë natyrore, pamjeve mahnitëse dhe një pozicioni të favorshëm në tokë, me akses të lehtë drejt Gjirit të Napolit, Caprit dhe Ischia, si dhe një histori të pasur. 

Imelda Shllaku, drejtoreshë menaxhuese e “Hotel La Palma” në ishullin Capri

Për një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë

Ejani në Capri me varkë, lundroni drejt Marina Piccola dhe kaloni ditën mes shkëlqimit të La Palma Beach Club dhe një darke elegante në Bianca Rooftop Carne & Crudo, restoranti dhe lounge bar-i i Hotel La Palma është ëndrra më e bukur që mund të përjetoni në ishull.

Për peizazhet më të bukura

Pamja më e famshme? Nga Punta Belvedere mbi Faraglioni dhe Marina Piccola është thjesht ikonike. Kërkoni një pamje më unike? Feneri i Punta Carena-s.

Çfarë duhet të provoni për të ngrënë dhe për të pirë

Duhet patjetër të shijoni një Torta Caprese tradicionale dhe panetonen e Hotel La Palma, që shërbehet gjatë gjithë vitit.

Një sekret që vetëm vendasit e dinë

Banorët vendas të Caprit shmangin zhurmën dhe rrëmujën duke u tërhequr në La Palma Beach Club – një vend plot stil, por i qetë, që kombinon ekskluzivitetin me luksin e thjeshtë dhe natyral.

Pse dashuria për Bregun e Amalfit është kaq e përhershme?

Vende si Capri ruajnë një bukuri të përjetshme – drita, deti, eleganca e natyrshme… Nuk është thjesht një destinacion, por një ndjenjë.

Andrew Camera, menaxher i hotelit panoramik “Hotel Santa Caterina”, në jug të qytetit të Amalfit

Vendi im i preferuar

Unë adhuroj shtegun në majë të shkëmbinjve të njohur si Rruga e Perëndive [dhe që është lehtësisht e arritshme nga Hotel Santa Caterina], si dhe tarracën panoramike të Villa Cimbrone në Ravello, si edhe fshatrat e bukur të Tramontit dhe Scalas.

Për një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë

Me qira një jaht privat që të nisë nga Amalfi drejt Positanos dhe Caprit. Nuk ka mënyrë më të mirë për të përjetuar Bregun e Amalfit sesa nga deti.

Specialitetet vendase

Kekët me limon, sorbetot– dhe padyshim, limoncello.

Një sekret që vetëm vendasit e dinë…

Të qëndrosh këtu, ku vendasit të bëjnë të ndihesh si në shtëpinë tënde larg shtëpisë, është një pjesë thelbësore e përjetimit të vërtetë të ‘la dolce vita’.

Bianca Sharma, nga Monastero Santa Rosa, një manastir i shekullit XVII i shndërruar në një hotel madhështor mes Positanos dhe Amalfit

Për një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë

Shëtisni me varkë për një ditë të tërë për të shijuar notin në det, uji këtu ka një përmbajtje të lartë kripe, duke e bërë më të lehtë lundrimin. Një nga përvojat më emocionuese është noti brenda shpellave që ndodhen në shkëmbinj. Pas kësaj, shijoni një drekë të gjatë në një nga restorantet e shumta familjare buzë detit, dhe më pas kthehuni ngadalë në port ndërsa dielli është ende në horizont.

Ku të hani dhe pini

Nuk mund të mos përmend restorantin tonë në Monastero Santa Rosa, “il Refettorio”, ku shefi Christoph Bob dhe ekipi i tij krijojnë shijet unike vendase të mrekullueshme me një prekje kreative. Për një përvojë buzë detit, më i preferuari im është “Lido Azzurro” në Amalfi. Për atmosferë qyteti, dua shumë “Da Gemma”. Dhe për një eksperiencë familjare me një qasje moderne ndaj ushqimit tradicional italian, adhuroj “La Taverna del Leone” në rrugën drejt Positanos nga Monastero Santa Rosa, ky është restoranti ku hanë vendasit, sidomos jashtë sezonit turistik. Një specialitet lokal është pezzogna (lloj peshku) i pjekur në kore kripe, dhe pasta me kungulleshka – të gjithë kanë versionin e tyre të preferuar të recetës, dhe të gjitha janë të mrekullueshme.

Ku të bëni pazar

Positano ofron një përvojë shumë të këndshme blerjesh, me shumë produkte lokale nga liri dhe qeramika. Vizitorët e Monastero Santa Rosa mund të shijojnë udhëtimin me traget nga Amalfi në Positano për të kaluar një ditë të këndshme duke eksploruar.

Vendi më i bukur në Monastero Santa Rosa

Sa mbërrij, gjithmonë shkoj drejt verandës së hyrjes për të ndier atmosferën dhe për të shijuar aromat magjike që duket se ekzistojnë vetëm në Bregun e Amalfit, veçanërisht në Monastero. Pasditeve, më pëlqen të ndalem në zonën e kafesë pranë pishinës – ajri aty është i veçantë gjatë një pasditeje të ngrohtë.

Diçka që vetëm vendasit e dinë…

…janë shtigjet e shumta për ecje. Përveç shtegut të njohur Sentiero degli Dei (Rruga e Perëndive), një tjetër që ia vlen të përjetohet është Valle delle Ferriere (Lugina e Punishtes së Hekurit). Ka një ndjesi të jashtëzakonshme, thuajse mitike; nuk do ta imagjinoje kurrë se je kaq afër detit.

Pse nuk lodhemi kurrë nga Bregu i Amalfit?

Vendasit janë jashtëzakonisht mikpritës – duket sikur mikpritja u është ngulitur në ADN. Kjo dashamirësi e tyre krijon menjëherë një atmosferë të ngrohtë dhe u lejon të gjithëve të çlodhen dhe të gjejnë qetësinë që mund t’u ketë munguar në jetën e përditshme. Pastaj, ka diçka magjike në ajrin e detit që më bën të ndihem e plotësuar dhe plot energji.

Antonio Sersale, nga hoteli legjendar familjar Le Sirenuse, në zemër të Positanos

Për një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë

Zgjohuni në një suitë në Le Sirenuse, relaksohuni dhe shijoni mëngjesin në tarracën tuaj, përpara se të drejtoheni në spa për një masazh relaksues. Pastaj zbrisni në mol, ku do të gjeni një varkë me një shenjë peshku të kuq, që do t’ju çojë në restorantin Da Adolfo. Aty do të shijoni një drekë të mrekullueshme dhe do të çlodheni në plazh. Pak para perëndimit të diellit, një varkë elegante Riva Aquarama Special do të vijë t’ju marrë nga plazhi kryesor për një shëtitje të paharrueshme përgjatë Bregut të Amalfit dhe rreth Caprit. Pas kthimit në Le Sirenuse, një aperitiv në barin Aldo’s, i ndjekur nga një darkë në La Sponda, do ta përmbyllë këtë përvojë të jashtëzakonshme.

Vendi më i bukur në Le Sirenuse

“Franco’s Bar” Ka një energji të veçantë këtu që e ndjejnë të gjithë, duke sjellë gëzim dhe të qeshura – dy gjëra që babai im i adhuronte në jetë.

Ku të hani dhe pini

Zuppa di cozze (supa me midhje) te Da Adolfo; një club sanduiç te Le Sirenuse; pasta me kungulleshka (pasta alle zucchine) te Lo Scoglio; dhe një koktej Dipinto di Blu te Franco’s Bar.

Diçka që vetëm vendasit e dinë…

Ka një shpellë sekrete me ujë të ëmbël përgjatë bregut, me një hyrje shumë të vogël. Uji është krejtësisht i pastër, i pijshëm dhe i pasur me minerale e vitamina natyrale. Ne shpesh shkojmë për t’u larë atje, por bëjmë sikur nuk ekziston, për të mos e zbuluar nga shumë njerëz!

Pse nuk lodhemi kurrë nga Bregu i Amalfit?

Për mikpritjen dhe sharmin autentik të Italisë së Jugut; për mrekullinë gjeologjike të shkëmbinjve që zbresin thellë drejt detit të pastër Tyrrhenian; për shtëpitë e grumbulluara vertikalisht mbi njëra-tjetrën; dhe për labirintin e shkallëve që përshkojnë qytetet.

Mariella Avino, nga Palazzo Avino – i njohur ndryshe si ‘Pallati Rozë’ në Ravello

Për një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë

Nisuni në një nga shëtitjet e veçanta me guidë: e preferuara ime është Rruga e Perëndive (Path of the Gods). Gjatë këtij udhëtimi mund të shihni pamje dhe kënde të Bregut të Amalfit që janë të papërsëritshme dhe të paharrueshme.

Ku të hani dhe pini

Bregu i Amalfit është gjithashtu një festë shijesh unike. Një Lemon Drop Martini nga Lobster and Martini Bar në Palazzo Avino është i domosdoshëm – përdorim limonët sfusato Amalfitano për ta bërë këtë koktej të freskët dhe të shijshëm.

Kur bëhet fjalë për dashurinë time të dytë, pica e Palazzo Avino e shërbyer në Clubhouse by the Sea është shumë e shijshme. Përbërësit përfshijnë domate të freskëta të verdha cherry, mozzarella, burrata, borzilok, sardelet nga Cetara [në Kampanja], dhe lëkurën e limonëve sfusato.

Vendi më i bukur në Palazzo Avino

Solariumi në çatinë e Palazzo Avino ka një vend të veçantë në zemrën time. Është pika më e lartë e pronës dhe ofron një pamje panoramike të mrekullueshme të bregut. Prej andej, mund të dëgjosh vetëm tingujt e zogjve dhe ndihesh më afër qiellit sesa detit. Është magji e pastër gjatë perëndimit të diellit.

Pse nuk lodhemi kurrë nga Bregu i Amalfit?

Bregu i Amalfit është i humbur në kohë – është ende siç ishte shumë vite më parë dhe ofron atë lidhje me traditën dhe autenticitetin që çdo shpirt kurioz kërkon.