Në mbrëmje vonë, një person humbi jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën në dy aksidente rrugore në Balldre në aksin Lezhë-Shkodër dhe pranë mbikalimit të Patokut, në rrugën Laç-autostradë. Rreth orës 21:50, në Lezhë-Shkodër një person që ende nuk ështe identifikuar u përplas për vdekje nga një makinë. Dyshohet se viktima ishte i pastrehë. Ai u dërgua në spitalin e Lezhës, por fatkeqësisht nuk mundi t’iu mbijetojë plagëve të marra. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit fatal.
Njoftimi i Policisë:
Rreth orës 21:50, në aksin rrugor Lezhë-Shkoder, në Balldre, shtetasi G. B. duke drejtuar automjetin e tij, ka aksidentuar një këmbësor akoma të paidentifikuar, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.
Drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e policisë për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Po në orët e natës, gjashtë persona mbetën të plagosur në Laç, pasi dy makinat me të cilat po udhëtonin u përfshinë në një aksident, pranë mbikalimit te Patokut, në aksin Laç-autostradë.
Për ndihmë mjekësore më të specializuar, katër nga të plagosurit u dërguan në Spitalin e Traumës, në kryeqytet. Dy të tjerë po marrin mjekim në spitalin e Laçit. Ende nuk dihen shkaqet, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor.