Aktualitet

Tritol në Laç, lëndë plasëse një biznesi!

Një shpërthim me lëndë plasëse u regjistrua në orët e para të mëngjesit, në Laç. Sipas informacioneve paraprake policore, ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, kur dyshohet se u përdor tritol.

Ende nuk dihen rrethanat e plota të shpërthimit, por raportohet se nuk ka të lënduar, vetëm dëme materiale. Lënda plasëse ishte vendosur në qepenin e derës së një dyqani, në një kompleks shërbimesh.

Blutë në vendngjarje nisën hetimet për zbardhjen e rrethanave, si edhe po punohet për identifikimin e autorit apo autorëve.

Njoftimi i policisë: 

Rreth orës 03:00, në qytetin e Laçit, në qepenin e derës së një dyqani që ndodhet në një kompleks shërbimesh, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Nën drejtimin e Prokurorisë, po kryhen veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.