I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” këtë javë ka qenë aktori i njohur, Besmir Bitraku. Është një ndër artistët shqiptarë që ka spikatur për sa i përket teatrit dhe kinematografisë. Në këtë intervistë të veçantë me Kozeta Kurti ka rrëfyer gjithçka rreth karrierës së tij duke u rikthyer pas në kohë.
Çfarë është për një aktor në karrierë dëshira për t’u marrë me regji?
Besoj që është një dëshirë për të shprehur diçka në një mënyrë se si unë e mendoj. Është një thirrje që ti do ta thuash diçka por në mënyrën tënde. E ke më kollaj që ta ndërtosh një vepër që ti e lexon ashtu si e mendon ti sesa të bëhesh pjesë e ëndrrës së një njeriu tjetër, një regjisori.
A mendon Besmir Bitraku se është bërë ai që ka dashur të bëhet që kur ishte fëmijë dhe adoleshent?
Mendoj se e kam kaluar të bërit atë që kam dashur unë, mendoj që i kam kaluar pritshmëritë e vetes sime dhe mendoj se kam akoma shumë për të arritur. Besoj se jam në rrugën e duhur për të bërë atë që dua të bëj.
Besmir Bitarku tregoi gjithashtu edhe lidhjen e fortë që ka me babain e tij dhe zbuloi për herë të parë edhe këshillën që ai i ka dhënë.
Nuk e kam thënë në asnjë vend kështu, në një moment kur unë doja të ikja nga Shqipëria ai ishte komplet kundër dhe në fund të ditës më tha: Ki parasysh se vetëm dy gjëra janë të rëndësishme në jetë. Kur të shkosh 60-65 vjeç dhe të kthesh kokën mbrapa do të shohësh se vetëm dy gjëra janë të rëndësishme. Jetova me njeriun që unë desha të jetoj dhe bëra punën që desha të bëj. Të gjithë të tjerat janë garniturë. Këto janë copat e pjatës kryesore të jetës. Kjo ishte goditja e fundit që unë mora për të mos ikur më kurrë nga ky vend dhe për të vazhduar investimin në këtë punë që vërtet dua të bëj.