Sport

E ardhmja te Barcelona, Kunde pas rinovimit: Gjithçka ndodhi shpejt!

Zhyl Kunde po hyn në sezonin e tij të katërt te Barcelona. Francezi, që me Ksavin luajti edhe si mbrojtës qendre, tani luan si mbrojtës i djathtë, ku është i padiskutueshëm. Pavarësisht vonesave të tij, të cilat e irritojnë trajnerin Flik, Kunde është një lojtar kyç për ekipin dhe një punëtor i palodhur.

Për punën e tij, Kunde është shpërblyer me një kontratë të re deri në vitin 2030, që do të zyrtarizohet pas kthimit të Barcelonës nga turneu në Azi. Megjithatë, vetë francezi ka komentuar për rinovimin duke bërë me dije se gjithçka rrodhi natyrshëm.

“Ishte shumë e shpejtë. Gjithçka u konkretizua sa hap e mbyll sytë”, deklaroi lojtari. Kunde shprehu gjithashtu kënaqësinë që do të vazhdojë të japë kontribut në një klub që lufton për tituj çdo sezon. Kunde, i cili shprehu gëzimin e tij që mbahet mend për golin e tij në finalen e Kupës kundër Madridit, u pyet gjithashtu për situatën e kapitenit Ter Shtegen dhe humbjen e mundshme të shiritit prej tij.

Francezi pranoi se gjermani po kalon një moment të vështirë, por, kur u pyet nëse do të mbetet kapiten, tha: “Varet nga Flik dhe klubi”.