Një pllakë guri 2800-vjeçare është shfaqur së fundmi në Irak, pasi u kthye nga Italia pas gati katër dekadash. Artefakti është i gdhendur me tekst të plotë kuneiform, një sistem shkrimi në argjilë në një alfabet të lashtë babilonas. Autoritetet italiane ia dorëzuan atë presidentit të Irakut, Abdul Latif Rashid, në qytetin e Bolonjës. Nuk është e qartë se si u gjet pllaka, apo si u nis për në Itali, ku u sekuestrua nga policia në vitet 1980.
Ministri i Kulturës irakian, Ahmed Badrani, tha se mund të ishte gjetur gjatë gërmimeve arkeologjike të digës së Mosulit, e cila u ndërtua rreth asaj kohe. Iraku, i përshkruar shpesh si “djepi i qytetërimit”, njihet, ndër të tjera, për shkrimin e parë në botë.
Në fund të shekullit të 8-të, Bejt al-Hikmah (Shtëpia e Urtësisë) e vendit ishte shtëpia e bibliotekës më të madhe të librave mbi shkencën, artin, matematikën, mjekësinë dhe filozofinë. Grabitja e antikiteteve të vendit u intensifikua pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja 20 vjet më parë. Presidenti i Irakut vlerësoi bashkëpunimin e treguar nga Italia dhe tha se do të punonte për të rimarrë të gjitha pjesët arkeologjike të historisë së Irakut nga jashtë.