Bota

Izraeli ngriti bazë sekrete në Irak për operacionet kundër Iranit?!

Izraeli ka ngritur një bazë sekrete ushtarake në shkretëtirën e Irakut për të mbështetur operacionet kundër Iranit, siç raportoi gazeta amerikane “The Wall Street Journal”, duke cituar burime të njohura me çështjen, përfshirë zyrtarë amerikanë.

Referuar raportit, objekti u ndërtua me dijeninë e Shteteve të Bashkuara, pak para nisjes së konfliktit SHBA-Izrael kundër Republikës Islamike.

Baza shërbente si qendër logjistike për Forcën Ajrore izraelite e strehonte njësi të forcave speciale, si edhe ekipe kërkim-shpëtimi, të gatshme për të ndihmuar pilotët në rast rrëzimi të avionëve.

Mediat e huaja shkruajnë se nuk mund të verifikojnë në mënyrë të pavarur pretendimet e publikuara nga WSJ. Ndërkohë, zyra e kryeministrit izraelit, Netanyahu nuk ka reaguar ndaj kërkesave për koment.

Ekzistenca e bazës thuhet se rrezikoi të zbulohej në fillim të marsit, pasi media shtetërore irakiane raportoi për aktivitet të pazakontë ushtarak në zonë.

Sipas burimeve të cituara nga WSJ, trupat irakiane u dërguan për të hetuar, por forcat izraelite ndërhynë me sulme ajrore për të penguar afrimin e tyre dhe për të mbajtur sekret objektin ushtarak.

Në një ankesë të paraqitur më vonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, autoritetet irakiane deklaruan se sulmi përfshinte forca të huaja e sulme ajrore, duke ia atribuar atë SHBA-ve. Megjithatë, një burim i njohur me çështjen i tha WSJ-së se Shtetet e Bashkuara nuk kishin rol në operacionin ushtarak.