Ndonëse kishte kërkuar prej kohësh përballjen me të, për marrjen e pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë, Partia Demokratike surprizoi, dhe në vend të kërkesës së llogarisë, braktisi sallën e Kuvendit në kohën kur zv.kryeministrja Belinda Balluku doli të fliste për herë të parë mbi akuzat e drejtësisë për të. Të vetmit që mbetën në sallë ishin opozitarët e partive të vogla.
Edhe pse po hetohet, Balluku tha se nuk do ta sulmojë drejtësinë dhe do presë fjalën e fundit mbi hetimet për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë.
“Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë akuza, sharje dhe as kërcënime për drejtësinë e re edhe kur prekem personalisht. As lëvdata e himne pasi besoj thellësisht se kjo drejtësi e re e dalë nga reforma, produkt i vullnetit të PS dhe Ramës, është duke kryer misionin për të cilin u reformua, patjetër me pikat e saj të dobëta e të forta, por si gjithçka e re konsolidohet dita ditës. S’do më dëgjoni kurrë të merrem me prokurorë e gjyqtarë, pasi secili prej tyre bën detyrën ashtu si e gjykon. Nuk do të prononcohem kurrë për çështje në hetim pasi kanë rrugën e tyre, të cilën do e ndjek me diskrecion të plotë, derisa e vërteta të marrë formë të prerë cilado qoftë ajo. Por unë si kolegët e mi të PS mbështesim reformën në drejtësi dhe produktet e saj, edhe kur prekemi personalisht, pasi ndryshe nga sa thoni e mendohet, PS është formacioni politik serioz”, tha Balluku.
Akuzoi opozitën se kur SPAK heton nga radhët e socialistëve, ngre flamurin e triumfit, ndërsa kur heton Sali Berishën i fshihet drejtësisë dhe e akuzon si të kapur nga Edi Rama.
“I vetmi në Shqipëri, ku fjala e secilit dëgjohet dhe ka peshë. Ajo reformë ka marrë mbështetjen se çdo socialisti, ndaj në respekt të plotë të misionit të saj nuk kam asnjë koment. Çështja qëndron se ju të nderuar opozitarë që më ndiqni nga kafja e parlamentit tani, keni dy standarte sa i përket reformës dhe SPAK. Kur SPAK thërret Saliun dhe lozni kukafshehti me zarfin, i cili është zarfi që pret 15 vite populli shqiptar për drejtësi, për vrasjen shtetërore në 21 janar, atëherë SPAK ndikohet nga Edi Rama. Kur SPAK thërret Sali Berishën dhe e mban në arrest shtëpie për ditë e muaj dhe më pas kur sot është i pandehur GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, atëhera Edi Rama e ndikon SPAK. Por, kur sipas jush, kur merret me maxhorancës, bëheni martirët e drejtësisë, britma dhe klithma e saj. Deputetë opozitarë detyra e opozitës është oferta politike e saj ndryshe nga e maxhorancës. Rotacionin që kaq shumë e doni s’mund ta bazoni me pathos se kë do të kapë SPAK nga maxhoranca. Jeni kthyer në një tifozeri sedentare, që i lutet zotit aman t’i heqë SPAK këta që të vijnë ne. Por rotacioni bëhet me votë dhe jo lutje e duartrokitje. PS është e vetmja parti që ka ofertë për vendin. Ju keni emrin PD por me demokracinë brenda partisë nuk keni lidhje, për të qenë pranë faraonit Sali duhet të jesh humbës, dhe të mos kesh shtyllë kurrizore, të jesh kameleon politik që ndryshon ngjyrë dhe formë. Është normale që për ju të bëni këtë lloj opozite. Nuk është se nuk na vjen për shtat, por jo, edhe ne do të dëshiron opozitë më të mirë, opozitë që s’e ka luftën personale me askënd, por ideologjike. Ja që s’e kemi këtë mundësi, unë e kam të qartë pse jam nën një sulm personal që ka kohë që më ka nisur. Ju nuk e falni as suksesin politik dhe as suksesin që punon, por as ata që dallojnë as brenda rradhëve tuaja. Ju nuk falni 8 humbje në 12 vitet e fundit dhe ju përmes sulmeve personale për secilin prej nesh mbuloni dështimin tuaj”, shtoi ajo.
Sulmeve të opozitës, i gjen një arsye: “E kam të qartë pse jam në një sulm personal, sepse ju nuk i falni ata që kanë sukses. Ju keni ngritur të vdekurit nga varri e i keni sjellë në foltore.”
Në mungesë të kolegëve demokratë, zhurmuesin në sallë e bënte herë pas here deputeti i partisë Mundësia Agron Shehaj i cili po ashtu e kishte kërkuar disa herë përballjen në interpelancë me Ballukun.
Përballja me Ballukun i kushtoi përjashtimin nga seanca.
Demokratët u rikthyen në seancë vetëm pasi ajo u ndërpre për pak minuta dhe pasi zv kryeministrja u largua. “Mendoj të mos kthehet më, por të japë dorëheqjen…”, tha Kapri.