Tech Top Tech - News

Edhe pse prezantimi nuk shkoi perfekt, Meta Connect 2025 erdhi plot me risi…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Meta Connect 2025

Teknologjia ka arritur në atë pikë ku dhe gjyshi mund të të marrë në telefon nëpërmjet syzeve… e mbase së shpejti do të na telefonojë nga këpuca…

Po, Meta njerëz…sapo prezantoi pajisjet e reja teknologjike në Connect 2025 – dhe këtë herë nuk bëhet fjalë për metaverse që s’e do njeri, por për disa produkte që mund ti mbash në fytyrë.

Ray-Ban Meta…u prezantua gjenerata e dytë që kushton 379$, ka dyfish më shumë bateri, pra tani mban deri në 8 orë dhe filmon në 3K Ultra HD. Po, mund të bësh “story” me syzet, edhe pse me baterinë s’ke për të xhiruar dot një dasmë shqiptare. Risia quhet conversation focus: nëse je në klub e s’dëgjohet as zëri yt, syzet fokusohen tek personi që flet me ty. Pra teknologjia që shpëton marrëdhëniet nga “hëë çfarë the?”.

Por kryefjala ishte Meta Ray-Ban Display. Këto syze kanë ekran direkt tek xhami i djathtë, ku shfaqen mesazhe, njoftime apo Google Maps. Dhe bashkë me to vjen dhe Meta Neural Band – një byzylyk që lexon sinjalet elektrike nga dora jote. Praktikisht, ti mund të përgjigjesh në WhatsApp duke bërë sikur po shkruan në ajër. Çmimi? 799$, ose ndryshe “syze + byzylyk që janë më të shtrenjtë se vetë telefoni yt”.

Natyrisht, prezantimi nuk shkoi perfekt. Mark Zuckerberg provoi një demo me një kuzhinier për të gatuar salcë koreane. Inteligjenca Artificiale e syzeve u hutua, përsëriste të njëjtën recetë gabim, dhe skena u kthye në komedi. Pra  edhe kur ke miliarda dollarë buxhet, prapë Wi-Fi është armiku numër një.

Hot take? Meta po mundohet të na bindë që e ardhmja është “smart glasses first, smartphone second”. Por me këtë çmim e me këto kufizime baterie, duket më shumë si një aksesor cool për të bërë show – jo për të zëvendësuar telefonin tënd… të paktën jo akoma.