Auto & Moto

Ekskluzivisht për motorët me hidrogjen, Cummins vjen me risi!

Ideja e motorit me hidrogjen me djegie të brendshme po i afrohet gjithnjë e më shumë zbatimit serioz komercial dhe prodhuesi i motorëve dhe komponentëve Cummins tashmë është përgatitur për këtë. Konkretisht, ata kanë prezantuar një turbo të ri për motorët me hidrogjen, të quajtur CCS H2 ICE. Ky turbo me gjeometri të ndryshueshme është projektuar për të përmbushur kërkesat unike të motorëve me hidrogjen. Detaje të tjera nuk janë bërë të njohura, por është e qartë se Cummins është përshtatur me hidrogjenin si karburant, i cili ka një densitet më të ulët krahasuar me benzinën ose naftën.

Një veçori e motorëve me hidrogjen është që gazrat e shkarkimit të tyre janë ujë. Në motorët me benzinë dhe naftë, turbo-mbushësit funksionojnë përmes gazrave të shkarkimit. Produkti i Cummins për momentin do të përdoret për motorët që lëvizin automjete komerciale, pra kamionë. Aktualisht, teknologjia e hidrogjenit është e rrallë në automjetet personale, kryesisht për shkak të faktit që infrastruktura e karikimit për hidrogjen është ende e pazhvilluar.

E gjithë kjo lidhet me prodhimin dhe transportin e hidrogjenit, procese që nuk janë të thjeshta dhe as të lira. Rikujtojmë se studiuesit në Qendrën RIKEN për Shkencën e Burimeve të Qëndrueshme (CSRS) në Japoni janë në prag të komercializimit të një zbulimi që mund të nxisë prodhimin e hidrogjenit të lirë si një alternativë ndaj benzinës dhe naftës. Duket se sekreti mund të qëndrojë në përzierjen e manganit me iridiumin shumë më të rrallë, i cili përdoret zakonisht sot në prodhimin e hidrogjenit. Mangani është shumë më i lirë.

Aktualisht, prodhimi i hidrogjenit kërkon një katalizator për të thyer molekulat e ujit dhe për të çliruar hidrogjenin. Më i miri nga këta katalizatorë të zbuluar deri më tani ishte iridiumi. Megjithatë, ky metal është shumë i vështirë për t’u gjetur, gjë që e bën atë të shtrenjtë për përdorim masiv. Shkencëtarët kanë zbuluar se mangani mund të jetë një zëvendësues më se adekuat, duke mundësuar një reduktim deri në 95% të përmbajtjes së kërkuar të iridiumit.