Ngjyra e mureve dhe arredimi i dhomës së gjumit kanë një ndikim të madh në cilësinë e gjumit dhe qetësinë e mendjes. Ekspertët e dizajnit të brendshëm theksojnë se përveç aspektit estetik, ngjyrat luajnë një rol psikologjik, duke formësuar disponimin dhe ndjesinë e rehatisë në hapësirë.
Ngjyrat që duhen shmangur:
Kate Duffy, eksperte e arredimit, këshillon të shmangen tonet e ftohta dhe sterile si gri apo të bardha me nënton të ftohtë, që mund të krijojnë ndjesi trishtimi dhe largësie emocionale.
Po ashtu, ngjyrat shumë të ndezura si e verdha e fortë, rozë apo jeshile e gjallë mund të japin energji, por nëse dominojnë hapësirën, mund të shkaktojnë nervozizëm dhe të pengojnë relaksimin. E kuqja, megjithatë e lidhur me pasionin, është ngjyrë stimulante që mund të pengojë gjumin dhe të rrisë oreksin.
Si të neutralizoni ngjyrat e papërshtatshme?
Nëse muret janë lyer me ngjyra jo të përshtatshme, ekspertët sugjerojnë përdorimin e mobilieve të mëdha, pikturave ose pasqyrave për të krijuar ekuilibër vizual. Ndriçimi i ngrohtë dhe difuz mund gjithashtu të zbusë perceptimin e ngjyrës dhe të krijojë një atmosferë më qetësuese.
Ngjyrat që favorizojnë gjumin?
Tonet e buta të kaltrës qetësojnë mendjen dhe krijojnë ndjesi sigurie, ndërsa bezha dhe nuancat rërorë sjellin ngrohtësi dhe stabilitet. Livanda, vjollca e hapur dhe jeshilja ulliri janë perfekte për një ambient të balancuar dhe natyral. Për një prekje romantike, rozë e zbehtë ose nuanca pudre janë zgjedhje ideale, delikate dhe të balancuara.
Zgjedhja e ngjyrave të duhura në dhomën e gjumit mund të përmirësojë dukshëm cilësinë e pushimit dhe të krijojë një ambient harmonik dhe të relaksuar.