Stil i avancuar në dizajn, shërbime luksoze, gastronomi e sofistikuar dhe përvoja kulturore gjithëpërfshirëse, këto nuk janë përshkrime që zakonisht i atribuohen hoteleve të përshtatshme për familje. Por, nëse jeni në kërkim të vendit të përkryer për një pushim shumëbreznor, fatmirësisht ekzistojnë disa hotele të shkëlqyera që u përshtaten me mjeshtëri të gjitha moshave, pa bërë kompromis me elementet që e bëjnë udhëtimin të ndjehet si një arratisje vërtet rigjeneruese, për çdo anëtar të familjes.
01. Terre Blanche, Francë
Shtrihet në mbi 300 hektarë fshat piktoresk në veri të Côte d’Azur, Terre Blanche është përkufizimi i një vendi ku ka diçka për çdo njeri. 115 suitat dhe vilat e dizajnuara me elegancë, shumë prej tyre me tarraca private dhe disa me pishina mbresëlënëse, janë vendosur në stilin e një fshati tradicional provençal. Për adhuruesit e golfit, ky vend ofron një përvojë të nivelit të lartë: dy fusha kampionale me 18 vrima, një qendër performancash me teknologji të avancuar dhe një akademi golfi. Peizazhi i valëzuar është ideal për eksplorim me biçikletë apo në këmbë, pishina pa fund në kodër ofron pamje mahnitëse, ndërsa spa-ja prej 3,000m² përfshin një pishinë me kolona, ambiente trajtimesh, sauna dhe hamam. Janë të pranishme disa restorante, përfshirë Le Faventia, i dekoruar me yll Michelin. Për më të vegjlit, ekziston një klub fëmijësh i ngjashëm me një mbretëri: klasa yoge, kërkime thesari, punëtori arti, hyrje në golf dhe shfaqje argëtuese.


02. Singita Milele, Tanzani
A është safari në listën e ëndrrave tuaja familjare? Nën emrin prestigjioz Singita, i njohur për resortet dhe kampet luksoze të safarit,Milele është një vilë private në majë kodre që ofron përjetim të thellë të natyrës së egër të Serengetit të Tanzanisë. Vila pret deri në 10 persona në 5 suita, secila e emërtuar sipas emërtimeve kolektive të kafshëve ikonike të rajonit: gjirafa, luani, gepardi, zebra dhe rinoceronti (Journey, Pride, Coalition, Dazzle, Crash). Safari të organizuara me itinerar të personalizuar, pishina pa fund me pamje mbi fushat e Serengetit, katër spa të veçanta, lounge të hapura, një kinema private për 10 persona dhe trajtime relaksuese krijojnë një ambient ku të gjithë gjejnë çlodhje.

03. Soneva Fushi, Maldive
Përfytyroni këtë: shtriheni mbi një hamak mbi ujë, mbi pishinën tuaj pa fund, duke përthithur hijet blu të detit dhe qiellit të Maldiveve, ndërsa fëmijët rrëshqasin nga dhoma e gjumit drejt ujërave të qeta kristal. Një ëndërr për çdo anëtar të familjes. Soneva, marka e njohur për luks të qëndrueshëm dhe filozofinë “pa këpucë, pa lajme”, ka zgjeruar koleksionin The Residences, me vila madhështore me 3 deri në 9 dhoma në resortet Fushi dhe Jani. Shërbime falas përfshijnë kuzhinier privat dhe seanca tenisi me trajnerin rezident. Jashtë vilave, The Den në Soneva Fushi është një nga klubet më të mëdha për fëmijë në Azinë Jugore. Aktivitetet për të gjithë përfshijnë vëzhgimin e yjeve me astronom në observator, zhytje me snorkel në rifin e resortit dhe filma në kinemanë në natyrë Cinema Paradiso.

04. Rosewood Castiglion del Bosco, Itali
Në zemër të Toskanës, në Montalcino, ndodhet një pronë 900-vjeçare prej 2,000 hektarësh që duket si e dalë nga përrallat. Rosewood Castiglion del Bosco është një përfaqësues i denjë i trashëgimisë italiane, me 42 suita të dizajnuara me finesë dhe 11 vila private të restauruara nga ferma të shekujve XVII-XVIII. Vilat kanë pishina private, kopshte dhe pergola, për një qëndrim të izoluar por me akses të plotë në shërbimet e një hoteli luksoz. Në një rajon si Toscana, gastronomia është padyshim pjesë e përvojës: restoranti me yll Michelin Campo del Drago, Osteria La Canonica, kopshti organik, shkolla e gatimit dhe kantina e verës historike janë vetëm disa nga atraksionet. Përveç tyre, gjeni spa, palestër, klub golfi dhe klub për fëmijë.


05. The Marbella Club, Spanjë
I vendosur në bregun andaluzian, Marbella Club është një përzierje e përsosur mes malit, detit dhe kopshteve ekzotike mesdhetare. Një klishe që funksionon, ka diçka për të gjithë: shkëlqim plazhi, pije në oborrin qendror, shëtitje përgjatë bregut, trajtime mirëqenieje, sporte ujore dhe një klub për fëmijë të pajisur me gjithçka. Fëmijët mund të përfshihen në përvoja autentike, nga përgatitja e parfumeve me bimë lokale te leksione gatimi me produkte vendase, punëtori artizanale me artistë lokalë dhe “paddle surfing” në ujërat e qeta. Akomodimi përfshin bungalot dhe vila me 2-4 dhoma, pishina dhe kuzhina private, perfekte për grupe të mëdha familjare.

06. Treehotel, Suedi
Për të fituar pikë me fëmijët, dhe ata që ndihen ende fëmijë, një qëndrim i jashtëzakonshëm në “shtëpi në pemë” do të tejkalojë çdo pritshmëri. Treehotel, i vendosur në pyjet e Norrlandit në Suedinë veriore, është një përvojë magjike për të rritur dhe të vegjël. Dhomat “në pemë” janë projektuar nga arkitektë skandinavë të mirënjohur, nga “Biosphere” me fole zogjsh, te “Mirrorcube” pasqyrues, apo “Dhoma e 7-të” me dysheme transparente dhe pamje mbi Lule River Valley. Aktivitetet përfshijnë lundrim me kanoe, peshkim, guida për të parë dritat e veriut, shëtitje me raketa dëbore, udhëtime me slita dhe kontakt të afërt me alpakët dhe drerët. Hoteli respekton standarde të larta të qëndrueshmërisë, me ndikim minimal në mjedis dhe bashkëpunim të ngushtë me komunitetin lokal, gjithmonë në përputhje me filozofinë: “duam të jemi në natyrë, por sipas kushteve të saj”.


07. Wilderness Reserve, Mbretëria e Bashkuar
Edhe pse teknikisht nuk është hotel, një pronë private për përdorim ekskluziv mund të jetë zgjidhja më e mirë për pushime me grup familjar të madh, veçanërisht kur çdo detaj është i menduar. Në fshatrat e bukura të Suffolk, Wilderness Reserve ofron një koleksion magjepsës vilash, kasolle dhe fermash, disa me pishina, banja termale, spa dhe liqene noti, që të japin ndjesinë e shtëpisë së ëndrrave. Nga rezidenca të shekujve më parë te një shtëpi Tudor me hendek, një vilë kopshtari me karakter të veçantë apo Clockhouse me dizajn katror (e transformuar nga një stallë historike), madje edhe një hambar me 18 dhoma të dizajnuara me shije, zgjedhjet janë të pafundme. Aktivitetet e shumta në pronën prej 3,200 hektarësh përfshijnë harkëtari, vëzhgim shpendësh, trajtime spa, eksplorim natyre, kërkime thesari dhe kampe aventurash për fëmijë. Kuzhina e Rezervatit ofron darka me shef personal, pikniqe dhe festa pranë zjarrit në pyllin antik. E gjitha kjo, një shtëpi larg shtëpisë, që ndoshta do ta donit më shumë se shtëpinë vetë.
