Policia e Tiranës njofton se zbardhi dhe dokumentoi ngjarjen e 6 ditëve më parë, në rrugën “Vasil Ndoçka”, ku një sasi lënde plasëse shpërtheu në automjetin e shtetasit O.K., duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Si rezultat i hetimeve intensive dhe operacionit të koduar “Porosia”, u vunë në pranga 7 persona të përfshirë në këtë ngjarje, të organizuar në formën e një grupi kriminal.
Gjithashtu, u sekuestruan biçikleta e përdorur nga autori, rrobat e tij, automjete të të dyshuarve dhe aparatet celularë.
Hetimet kanë zbuluar se shtetasi J.G., 32 vjeç, është personi që vendosi dhe aktivizoi lëndën eksplozive, i ndihmuar nga K. A., R.B. dhe E.L., të cilët siguruan mjetet dhe informacionin e nevojshëm. Ndërkohë, shtetasi S. N., 33 vjeç, aktualisht i dënuar në IEVP Fushë-Krujë për vepra të rënda kriminale, dyshohet se ka porositur vendosjen e eksplozivit.
Po ashtu, shtetasit G.K., 29 vjeç, D.H., 34 vjeç dhe G.M., 19 vjeç, kanë transportuar autorin e shpërthimit ditën e ngjarjes.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa policia thekson se operacioni “Porosia” është një shembull i bashkëpunimit efektiv mes strukturave hetimore dhe përdorimit të provave teknike për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.