Zbardhen detaje nga shpërthimi me lëndë plasëse i regjistruar në orët e para të mëngjesit në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:50 në rrugën “Vasil Ndocka”, ku një automjet u dëmtua nga vendosja e një sasie tritoli.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti është në pronësi të shtetasit Olsion Klosi, 36 vjeç, i cili jeton mes Shqipërisë dhe Spanjës. Dyshohet se aktiviteti i tij në shtetin spanjoll mund të jetë një nga motivet e mundshme të vendosjes së lëndës plasëse.
Burime bëjnë me dije se Klosi rezulton me precedent penal, për konflikte të mëparshme. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk pati persona të dëmtuar, por dëme materiale.
Autori i dyshuar u fiksua nga kamerat e sigurisë në momentin kur vendoste lëndën plasëse në makinë. Referuar pamjeve, në vendngjarje ka shkuar me biçikletë dhe u largua po me biçikletë, menjëherë pasi vuri tritolin.
Policia e kryeqytetit vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.