Travel

“El Pais”, ftesë për të vizituar Shqipërinë gjithnjë e më popullore!

“Përballë turizmit masiv në destinacionet klasike evropiane, vende si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria po fitojnë terren në mesin e turistëve që kërkojnë pushime më të lira dhe më pak të populluara”. Kështu shkruan Elena Horrillo, në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.

Vendet e Ballkanit vazhdojnë të thyejnë rekordin me numrin e lartë të turistëve. Më shumë se 1,1 miliardë udhëtuan në vendet ballkanike midis janarit dhe shtatorit 2025, sipas raportit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit të OKB-së.

Të dhënat treguan se numri i turistëve ishte 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe 3% më tepër se më 2019-ën, vitin para pandemisë.

E gjithë kjo, për shkak të inflacionit të lartë në shërbimet turistike dhe situatës gjeopolitike globale që nuk është aspak e qetë.

Pushimet në destinacione më të përballueshme e më pak të mbushura me turistë, që gjithmonë kanë qenë nën radarin e vizitorëve, tani po renditen gjithnjë e më shumë mes vendeve të preferuara të turistëve.

Sipas raportit të fundit të “Skyscanner”, dëshira për të udhëtuar jashtë vendit vazhdon të rritet, por më shumë se një e treta e turistëve (34%) kërkojnë në mënyrë aktive të shmangin zonat e mbipopulluara e 31% planifikojnë të vizitojnë vende të njohura, por vetëm jashtë sezonit turistik.

Një përqindje e ngjashme e turistëve thotë se mbipopullimi ka ndikuar negativisht në përvojën e tyre të udhëtimit.

Në sferën e pushimeve të fundjavës ose pushimeve tre ose katër ditore, sipas “eDreams”, turistët po shikojnë drejt destinacioneve evropiane më të përballueshme, por më pak turistike dhe ky mbetet një trend në rritje.

Duke pasur parasysh këta faktorë, Ballkani po e vendos veten si një destinacion në zhvillim në hartën e turizmit. Sipas të dhënave të ofruara nga “Booking.com”, të gjitha destinacionet në këtë rajon kanë potencial të konsiderueshëm rritjeje deri në vitin 2026, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Bullgaria kryeson, me një rritje prej 44% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2025, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 35%. Kosova (23%), Shqipëria(20%), Mali i Zi (17%) dhe Serbia, me 3%.

Jo çuditërisht, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë është ndër destinacionet e zgjedhura nga “Skyscanner”, me çmimet më të përballueshme prej disa muajsh, dhe Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, një nga vendet e rekomanduara për vitin 2026. Kombinon në mënyrë të përkryer sharmin oriental të pazarit të vjetër osman, me një qendër monumentale neoklasike të rinovuar.

Shqipëria

E njohur si Toka e Shqiponjave, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më popullore. Nuk është çudi, që në vitin 2025 priti 12 milion turistë, shifër pothuajse pesë herë më e madhe se popullsia e saj.

Tirana i bashkohet listës së kryeqyteteve evropiane më të vizituara nga turistët, pjesërisht falë aeroportit që ndodhet atje.Turistët mund të bëjnë një shëtitje nëpër Sheshin Skënderbej, sheshin kryesor të qytetit, të vizitojnë Xhaminë e Et’hem Beut, Muzeun Kombëtar ose Bibliotekën Kombëtare.

Megjithatë, nëse ka një vend që ia vlen vërtet të eksplorohet, është Bunk’Art 2, një bunker bërthamor i shndërruar në muze për të përkujtuar epokën e diktaturës së Enver Hoxhës.

Po ashtu, Shqipëria krenohet me thesare arkeologjike si Parku Arkeologjik i Butrintit, me banjot termale, teatrin romak e qytete të bukura historike si Berati dhe Gjirokastra.

Nëse jeni duke kërkuar një vend të izoluar, Thethi është porta hyrëse për në Alpet Shqiptare dhe fshatin e bukur të Valbonës.

Megjithatë, padyshim një numër më i madh turistësh tërhiqen nga Riviera Shqiptare, falë plazheve magjepsëse.

E ashtuquajtura Riviera Shqiptare, në jugperëndim dhe e lagur nga deti Jon, shtrihet midis Vlorës e Sarandës me ujëra të kristalta, bukuri natyrore mahnitëse dhe çmime të arsyeshme.

Vendet kryesore përfshijnë Ksamilin, Gjirin e Dafinës dhe Syrin e Kaltër, një burim që krenohet me ujërat mbresëlënës ngjyrë bruz.