Pas 3 barazimesh radhazi, Elbasani u rikthye te fitorja. Ekipi i Gvodenovic triumfoi minimalisht 0-1 ndaj Laçit, në ndeshjen e Superiores të luajtur në Kurbin. Ndeshja u vendos nga një autogol i Shabanit, në minutën e 39-të.
Me këtë rezultat, Elbasani e sheh veten në vendin e pestë me 40 pikë. Në krahun tjetër, Laçi renditet në vendin e gjashtë me 33 pikë. Takimi i sotëm ishte i vlefshëm për javën e 31-të.
Ndërkaq, Tirana do të ketë në dispozicion më të mirët në sfidën me Bylisin sot në orën 18:00. Trajneri Bledi Shkëmbi ka vendosur që të luajë me Ndrencën në krah dhe në balotazh është Soleri me Smaçin.
Spanjolli ka një problem në shpatull por është stërvitur dhe me shumë mundësi do të luajë nga minuta e parë. Bardheblutë, ekipin mallakastriot e kanë “hambar” golash. Vetëm në kampionat, ndaj skuadrës së Mezanit kanë “lëshuar” në portë nëntë “silurë”, si dhe kanë pësuar vetëm dy herë.
Dy fitoret me mallakastriotët i kanë 4-0 me trajner Maganin dhe 3-0 me Bledi Shkëmbin. Një takim është mbyllur në barazim 2-2. Po kështu, dy skuadrat kanë edhe një lojë në Kupë, ku në 120 minuta është kualifikuar Bylisi me rezultatin 1-2. Tani luhet sfida e katërt në kampionat dhe, paçka se Tirana u ka marrë 7 pikë ballshiotëve, këta të fundit janë 1 pikë mbi kryeqytetasit.
Bardheblutë po kështu kanë nxjerrë në shitje biletat për këtë sfidë. Bileta më e lirë është 400 lekë. Po kështu 700 lekë është tribuna përballë. Tribuna VIP dhe tribuna tjetër kushtojnë respektivisht 3000 dhe 2000 lekë.