Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
GrokiPedia
Duket sikur Elon Musk s’ka ndërmend të ndalet ndonjëhere me surprizat – ose siç do thonim ne, “ky njeri s’ka buton fikjeje”.
Pasi u mor me makinat elektrike, raketat, trurin e majmunëve dhe rrjetin X, tani Elon ka vendosur të hapë… Wikipedia-n e vet! Po po, e ka quajtur GrokiPedia – një version i ri i Wikipedia-s, por nën logon e Musk-ut dhe me “inteligjencën” e krijesës së tij, Grok AI.
Në pamje të parë, faqja duket si Wikipedia, thjeshtë, pa reklama e me stil minimalist. Por ndryshimi është që artikujt nuk janë shkruar nga miliona përdorues si te Wikipedia – këtu shumicën e punës e bën vetë inteligjenca artificiale e Musk-ut. Dhe ndryshe nga Wikipedia që ka mbi 7 milion artikuj, Grokipedia ka vetëm rreth 800 mijë. Pra, një “version demo” për momentin.
Ai madje ka thënë se do dërgojë kopje të Grokipedia-s në orbitë, në Hënë e madje edhe në Mars, që njerëzit e së ardhmes të mos harrojnë… kush e nisi internetin 2.0.
Megjithatë, shumë përdorues kanë vënë re që Grokipedia e sheh realitetin me një “lentë” pak ndryshe nga Wikipedia. Artikujt janë më të përmbajtur ndaj vetë Musk-ut dhe më kritikë ndaj mediave klasike – gjë që s’është surprizë, po të njohësh Elon-in.
Në fund të ditës, Grokipedia s’është thjesht një faqe informacioni – është pjesë e misionit të Musk-ut për të ndërtuar një ekosistem komplet të vetin të informacionit, ku ti lexon, komenton dhe debaton… gjithmonë brenda botës së tij.