Një përplasje e bujshme virtuale ka shpërthyer mes Elon Musk dhe këngëtares Billie Eilish, pasi artistja vendosi ta sulmojë hapur miliarderin në rrjetet sociale, duke e akuzuar se nuk po bën sa duhet për çështjet më të mëdha globale.
Gjithçka nisi më 13 nëntor, kur Billie publikoi në story një postim nga nisma “My Voice My Choice”.
Në të theksohej se me pasurinë marramendëse që ka, Musk mund të ndihmonte në luftën kundër urisë botërore, të financonte kërkime për shërimin e sëmundjeve, të kontribuonte në rindërtimin e Gazës dhe të shpëtonte specie të rrezikuara nga zhdukja.
Në fund, këngëtarja e mbylli mesazhin me një goditje të drejtpërdrejtë: “I mjerë, frikacak.”
Story u bë viral dhe brenda pak orësh u kthye në temë kryesore debati në X (ish-Twitter). Pesë ditë më vonë, më 17 nëntor, erdhi kundërpërgjigjja e Elon Musk. Ai shpërndau një postim ku ishin mbledhur storiet e Billie Eilish dhe reagoi shkurt, por therës:
Ajo nuk është më e zgjuara.
Ky koment hodhi benzinë në zjarr, duke ndarë rrjetin mes atyre që mbrojnë Musk dhe fansave të Eilish, të cilët e konsideruan reagimin e tij si përbuzës dhe seksist.
Përplasja vjen pas deklaratave të fundit të Billie Eilish për pabarazinë ekonomike dhe përgjegjësinë e miliarderëve.
Në fjalimin e saj në Çmimet e Inovatorëve të Wall Street Journal, ajo u bëri thirrje të pasurve të mëdhenj që të mos qëndrojnë spektatorë.
Nëse ke para, përdori për gjëra të mira. Dhe nëse je miliarder… pse je miliarder? Pa urrejtje, por po, jep nga paratë e tua
-u shpreh ajo.
Shkëmbimi i fortë mes dy figurave të njohura ka hapur një debat më të gjerë për etikën e pasurisë, rolin e personazheve publikë në shoqëri dhe kufijtë e kritikës online. Tani, të gjithë presin nëse Billie Eilish do t’i kthehet sërish Muskut me një reagim tjetër, apo “lufta” virtuale do të shuhet pa vijim.