Gossip Showbiz

Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova në pritje të fëmijës së katërt?

Këngëtari Enrique Iglesias dhe ish-tenistja Anna Kournikova janë rikthyer në qendër të vëmendjes, pasi po presin fëmijën e tyre të katërt.

Mediat ndërkombëtare publikuan fotografi të modeles ruse në Miami, ku shihej me një veshje sportive që konfirmoi shtatzëninë e saj.

Në moshën 44-vjeçare, Kournikova po përgatitet për një tjetër kapitull të amësisë, ndërsa Iglesias, i cili festoi 50-vjetorin këtë maj, sapo është rikthyer në skenë pas një pauze të gjatë.

Lajmi ka befasuar fansat, duke qenë se çifti gjithmonë ka ruajtur privatësinë dhe ka zgjedhur të ndajë pak detaje nga jeta e tyre familjare.

Çifti është tashmë prind i tre fëmijëve: binjakëve Lucy dhe Nicholas, të cilët janë shtatë vjeç, dhe vajzës së vogël Mary, që së shpejti do të mbushë pesë.

Ashtu si në shtatzënitë e mëparshme, edhe këtë herë lajmi është mbajtur larg syrit të publikut, duke u ndarë vetëm me rrethin më të ngushtë.

Fëmija i ri do të jetë gjithashtu nipi i nëntë i Isabel Preysler, nënës së këngëtarit spanjoll, e cila tashmë ka një familje të madhe me shumë pasardhës nga fëmijët e saj të tjerë.

Historia e dashurisë mes Iglesias dhe Kournikovës daton që prej vitit 2001, kur ata u njohën gjatë xhirimeve të videoklipit të këngës së famshme “Escape”.

Që atëherë, marrëdhënia e tyre është forcuar vit pas viti, duke u kthyer në një nga çiftet më jetëgjata dhe më të admiruar të botës së showbizit.