Enrique Iglesias dhe partnerja e tij prej vitesh, ish-tenistja Anna Kournikova, kanë mirëpritur fëmijën e tyre të katërt. Lajmi i bukur u bë publik përmes rrjeteve sociale, duke konfirmuar se foshnja ka ardhur në jetë më 17 dhjetor.
Enrique Iglesias, 50 vjeç, dhe Anna Kournikova, 44 vjeçe, kanë shtuar një anëtar të ri në familjen e tyre, duke ndarë emocionin me ndjekësit përmes një postimi në rrjetet sociale.
Më 22 dhjetor, Anna Kournikova publikoi në Instagram foton e parë të të porsalindurit. Postimi shoqërohej me mbishkrimin: “My Sunshine 12.17.2025”. Çifti nuk ka zbuluar ende emrin apo gjininë e fëmijës.
Iglesias dhe Kournikova janë tashmë prindër të binjakëve 8-vjeçarë Lucy dhe Nicholas, si edhe të vajzës 5-vjeçare Mary.
Çifti është i njohur për ruajtjen e privatësisë dhe ndan vetëm momente të zgjedhura nga jeta familjare.
Sipas një raportimi të revistës PEOPLE në muajin gusht, burime pranë çiftit kanë treguar se ata ishin “tejet të lumtur” për ardhjen e një fëmije tjetër. Po ashtu, thuhet se Enrique Iglesias ka reduktuar turnetë muzikore vitet e fundit për t’i kushtuar më shumë kohë familjes.
Enrique Iglesias dhe Anna Kournikova janë bashkë që prej vitit 2001.
Ata u njohën gjatë xhirimeve të videoklipit të këngës së famshme “Escape”. Edhe pse martesa e tyre nuk është konfirmuar kurrë publikisht, lidhja e çiftit ka mbetur e fortë ndër vite.