Lifestyle

Epoka e re e parfumeve si pjesë e stilit të përditshëm!

Në vitin 2025, parfumi nuk është më thjesht një aromë është kthyer në një shtyllë të pandashme të stilit personal. Trendi “Fragrance Wardrobe” (ose Gardëroba e Aromave) ka shpërthyer në industrinë e lifestyle-it, duke e vendosur parfumin në të njëjtin piedestal me rrobat, këpucët dhe aksesorët.

Në vend që të kenë një aromë të vetme që e përdorin çdo ditë, gjithnjë e më shumë persona po krijojnë një koleksion të vogël parfumesh për çdo gjendje emocionale, ditë të javës, apo aktivitet specifik. “Aroma për zyrë”, “parfumi i të dielës në mëngjes”, apo “era e takimit të parë” janë kthyer në mënyra për të përcjellë mesazhe dhe për të ndikuar në mënyrën si ndihesh gjatë ditës.

Ky trend ka lindur nga ndikimi i TikTok-ut dhe YouTube-it, ku influencer-ët e bukurisë dhe lifestyle-it ndajnë videot e tyre të përditshme me “pick of the day” nga koleksionet e tyre të parfumeve. Në këto video, parfumet përzgjidhen me kujdes bazuar në motin, veshjen apo thjesht gjendjen shpirtërore të ditës. Kështu, aroma është kthyer në një shtesë të qëllimshme të identitetit personal.

Marka të njohura si Maison Francis Kurkdjian, Le Labo, Byredo dhe Jo Malone kanë përqafuar këtë qasje duke krijuar sete “wardrobe” të personalizuara, që vijnë në versione më të vogla dhe më të lira për t’u provuar e ndërruar gjatë ditëve të javës. Njëkohësisht, po rritet edhe kërkesa për aroma nish që s’janë komerciale, por unike dhe intime. Psikologët sugjerojnë se:

Aromat ndikojnë drejtpërdrejt në trurin emocional dhe kujtesën. Krijimi i një “fragrance wardrobe” personalizon përvojat e përditshme, forcon ndjesinë e identitetit dhe i jep çdo dite një aromë të veçantë. Ky është lifestyle-i i ri: nuk vishemi vetëm për të tjerët, por edhe për veten, edhe në nivel aromash.