Bota

Erë më e keqe se vezët e prishura dhe temperaturë përvëluese…/Zbulohet planeti më i ndotur!

Shkencëtarët kanë zbuluar një planet të pazakontë rreth 34 vite dritë larg Tokës, i cili konsiderohet një nga më ekstremët dhe më të pajetueshmit e zbuluar ndonjëherë. Planeti, i njohur si L 98-59 d, karakterizohet nga një ambient i ashpër dhe i rrezikshëm, me temperatura që arrijnë mbi 1,500 gradë Celsius dhe një sipërfaqe të mbuluar nga një oqean i përhershëm lave.

Ajo që e bën këtë planet veçanërisht të jashtëzakonshëm është përbërja e tij kimike. Ai përmban sasi të mëdha të gazit sulfur hidrogjeni, i cili është përgjegjës për një erë të fortë të ngjashme me vezët e prishura. Sipas studiuesve, ky gaz dominon atmosferën e planetit dhe e bën atë një mjedis tepër toksik, ku mbijetesa është e pamundur. Edhe nëse dikush do të mund të afrohej, kushtet ekstreme do ta bënin të pamundur që të përjetonte këtë erë për një kohë të gjatë.

Studimi, i mbështetur nga vëzhgime të teleskopit hapësinor James Webb dhe observatorëve tokësorë, ka zbuluar gjithashtu se planeti ka një strukturë të pazakontë, pa shtresa të dallueshme si korja apo manteli, por një masë të vetme të thellë dhe të lëngshme magmaje. Ky zbulim konsiderohet i rëndësishëm për shkencën, pasi sugjeron ekzistencën e një lloji të ri planetësh jashtë sistemit tonë diellor, duke hapur rrugë për kërkime të reja mbi formimin dhe përbërjen e botëve të tjera në univers.

Astronomët kanë identifikuar një planet të përbërë nga lavë e shkrirë, çka do të thotë se mund të ekzistojë një kategori e re me planetë të lëngshëm, sipas studimit të publikuar në Nature Astronomy. Planeti i largët, i njohur si L98-59d, është rreth 1.6 herë më i madh se Toka dhe rrotullohet rreth një ylli të vogël të kuq 35 vite drite larg. Astronomët fillimisht menduan se planeti mund të kishte një oqean të thellë me ujë por analiza e fundit sugjeron se ai mund të jetë plotësisht i ndryshëm nga gjithçka e njohur më parë.