Tajfuni Bavi, stuhia më e fuqishme që ka goditur Kinën këtë vit, solli shira të rrëmbyeshëm në bregdetin lindor të dielën dhe goditi qytete me popullsi të dendur me erëra të forta, duke vënë në provë aftësinë e vendit për t’u përballur me motin ekstrem.
Tajfuni Bavi u dobësua të dielën në mëngjes në një stuhi tropikale, por parashikuesit paralajmëruan se ky sistem stuhish mund të shkaktojë shira për një kohë të gjatë të përhapura në të gjithë Kinën lindore dhe veriore në ditët në vijim. Gati 2 milionë njerëz u evakuuan përpara mbërritjes së Bavit, kryesisht në provincën Zhejiang, një fuqi ekonomike dhe teknologjike në ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Erërat ishin shumë të forta. “Dëgjonim tjegullat e çatisë dhe degët e pemëve që binin. Ishim të frikësuar, por jetojmë pranë detit, kështu që jemi mësuar me të.”- shpreh një prej banorëve.
Të shtunën, uragani Bavi përfshiu Tajvanin verior, duke sjellë erëra të forta dhe shira të dendur në pjesën më të madhe të ishullit. Stuhia solli gati 80 cm shi në një zonë në qarkun verior të Miaoli-t. Departamenti i zjarrfikësve të Tajvanit tha të dielën se 134 persona ishin lënduar, kryesisht për shkak të rënies nga motoçikletat, rrëshqitjes ose goditjes nga objekte.
Ministria e transportit tha se 137 fluturime ndërkombëtare ishin anuluar të dielën, së bashku me 62 udhëtime vendase. Ndërprerja u shtri edhe në rrjetet e transportit të Kinës. Në kryeqytetin e provincës Zhejiang, Hangzhou, dy stacione kryesore hekurudhore pezulluan të gjitha shërbimet dhe 327 fluturime u anuluan në Aeroportin Ndërkombëtar Xiaoshan.