Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është bërë për herë të dytë baba. Bashkëshortja Ajola Xoxa ka sjellë në jetë djalë.
Me këtë rast, Veliajt i është aprovuar leja nga Prokuroria e Posaçme dhe momentalisht është duke udhëtuar drejt maternitetit “Koço Gliozheni”, ku do të vizitojë djalin dhe bashkëshorten.
Sipas ligjit, leja e miratuar nga dy prokurorët e SPAK, Ols Dado dhe Altin Duman, është e vlefshme për 48 orë.
Çifti Veliaj-Xoxa kanë dy fëmijë. Djali i tyre i parë Kajan, erdhi në jetë në tetor të vitit 2018.
Kreu i Bashkisë së Tiranës ndodhet në burg që prej 10 shkurtit të vitit 2025. SPAK ka ngritur një sërë akuzash ndaj tij, duke përfshirë korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me marrje të përfitimeve të paligjshme në 9 raste, ku kompanitë e përfshira kanë përfituar leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia Tiranë, në këmbim të favoreve monetare dhe pasurive të paluajtshme.