Pas hyrjes së paprecedentë të dronëve rusë në territorin e Polonisë, më 10 shtator, NATO-ja ndërmori një përgjigje të re: operacionin Roja Lindore. Misioni nisi më 12 shtator dhe do të zgjerohet gradualisht javët në vazhdim. Sipas aleancës, qëllimi është të forcohet prania, bashkëpunimi dhe fleksibiliteti ushtarak përgjatë gjithë krahut lindor.
Edhe pse fokusi është te Polonia e kërcënimi nga dronët rusë, operacioni është shumëdimensional duke përfshirë forcat tokësore, detare dhe ajrore e synon t’i mbulojë boshllëqet në mbrojtje nga Deti i Veriut deri në Detin e Zi.
Megjithatë, NATO e ka bërë të qartë se misioni do të zhvillohet vetëm brenda territorit të saj dhe nuk parashikon hyrjen në Ukrainën perëndimore për të mbrojtur hapësirën ajrore. Kievi do ta mirëpriste një veprim të tillë dhe disa argumentojnë se dronët rusë duhen ndalur më herët, por shumë aleatë të NATO-s druajnë se një hap i tillë do të rriste rrezikun e përplasjes së drejtpërdrejtë me Kremlinin.
Sistem i integruar
Qëllim kryesor është krijimi i një sistemi të integruar. Më parë, çdo shtet anëtar i NATO-s kryente misione të patrullimit ajror në zona të ndryshme, ndërsa NATO ofronte mbështetje shtesë, në varësi të vlerësimit të kërcënimit.
Tani, ideja është që burimet, qofshin raketa apo teknologji kundërdron të ndërveprojnë përgjatë gjithë krahut lindor.
Ky koncept është frymëzuar nga një operacion i ngjashëm, Roja e Baltikut, i nisur më herët këtë vit, si përgjigje ndaj disa sabotimeve të dyshuara nënujore nga Moska në Detin Baltik.
Zyrtarë të NATO-s, me të cilët Radio Evropa e Lirë bisedoi në kushte anonimiteti, e konsiderojnë operacionin si të suksesshëm, duke theksuar se kohët e fundit nuk ka pasur tentativa për të dëmtuar kabllot apo infrastrukturën tjetër në rajon.
Megjithëse është e vështirë të parandalohet depërtimi i çdo droni në hapësirën e NATO-s, besohet se prania e shtuar ushtarake do ta bëjë Rusinë “të mendojë dy herë para se të provojë sërish”.
Aleatët po rrisin angazhimin
Tetë shtete i janë bashkuar tashmë operacionit Roja Lindore, duke vënë në dispozicion mjete për komandantin suprem të aleatëve të NATO-s, Alexus Grynkewich. Pritet që këtë shembull të mund ta ndjekin edhe vende të tjera.