Bota

Evakuim ndërkombëtar nga anija e goditur nga hantavirusi në Spanjë!

Gjermania, Franca, Belgjika, Irlanda dhe Holanda kanë konfirmuar se do të dërgojnë avionë për të riatdhesuar shtetasit e tyre nga një anije turistike e vendosur në Spanjë, e cila është goditur nga shpërthimi i hantavirusit, sipas deklaratës së ministrit të brendshëm spanjoll në Madrid.

Ministri Fernando Grande-Marlaska tha se edhe Bashkimi Evropian po dërgon dy avionë të tjerë për qytetarët e mbetur evropianë që ndodhen në bord.
Sipas tij, edhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë konfirmuar dërgimin e avionëve për evakuimin e shtetasve të tyre, ndërsa po hartohen plane emergjence për qytetarët e vendeve të tjera jo-evropiane që nuk kanë mundësi të dërgojnë fluturime.

Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka mbërritur në Spanjë për të diskutuar me autoritetet mbi procesin e evakuimit të sigurt të pasagjerëve nga anija.

Ai ka bërë të ditur se është në kontakt me kapitenin e anijes dhe se, sipas informacionit të fundit nga një përfaqësues i OBSH-së në bord, aktualisht nuk ka persona të tjerë me simptoma të hantavirusit në anije. Autoritetet po vijojnë përgatitjet për largimin e kontrolluar të pasagjerëve dhe menaxhimin e situatës shëndetësore në koordinim ndërkombëtar.

Sipas European Centre for Disease Prevention and Control dhe World Health Organization, rreziku për shëndetin publik mbetet i ulët dhe situata po monitorohet nga afër.

Specialistët sqarojnë se rastet e raportuara nuk përbëjnë sinjal për një pandemi të re. Epidemiologu grek Gikas Mayorkinis, pedagog në Universitetin Kombëtar të Athinës, deklaroi për mediat greke se transmetimi i virusit nga një person tek tjetri është “jashtëzakonisht i rrallë” dhe ndodh vetëm në kushte kontakti shumë të afërt dhe të zgjatur.

Sipas tij, hantaviruset ekzistojnë prej mijëra vitesh dhe zakonisht përhapen nga brejtësit. Në Amerikën e Jugut qarkullojnë të ashtuquajturit “viruse të Botës së Re”, ku përfshihet edhe virusi i Andeve, i njohur për format më të rënda respiratore.

Ekspertët theksojnë se variantet e gjetura në Evropë kanë simptoma më të lehta dhe nuk transmetohen nga njeriu te njeriu. Ndërsa në Amerikën Latine shkalla e vdekshmërisë mund të arrijë nga 10 deri në 30%, specialistët besojnë se këto shifra mund të jenë të fryra, pasi shumë raste të lehta nuk diagnostikohen fare.