Travel

“Express” ju këshillon të kërkoni alternativa mesdhetare dhe ka parasysh Shqipërinë!

“Ndërsa vera afrohet, shumë turistë janë në kërkim të destinacioneve të qeta dhe pa turma vizitorësh në Europë”, shkruan Kris Boratyn në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Me Spanjën, Greqinë dhe destinacione të Italisë shpesh të mbushura me turistë, ia vlen të kërkoni disa alternativa mesdhetare. Për fat të mirë, Europa ka një rivierë “të qetë” që ofron plazhe të qeta, ushqim të përballueshëm dhe qytete të bukura, që ende nuk janë prekur nga turizmi masiv.

Riviera Shqiptare, në bregdetin jugor të vendit, po bëhet shpejt një zgjedhje popullore për turistët që duan diell, det dhe peizazhe me kosto te përballueshme. Ende është shumë më lirë se vendet më të njohura në Mesdhe dhe shumë plazhe janë të qeta, kryesisht pas pikut të sezonit veror.

Himara është një nga perlat e fshehura të Rivierës Shqiptare. Eshtë më e qetë se vendpushimet e tjera si Saranda ose Ksamili dhe plazhet janë më të mëdha e më të pastra.

Ndryshe nga Ksamili, ku shumë plazhe janë të mbushura me shezlongje, Himara ende ka plazhe publike me shumë hapësirë.

Vendpushime të tjera të bukura përfshijnë Dhërmiun, Vunoin, Borshin, Qeparoin e Gjipen. Secili prej tyre ka sharmin e vet, me ndërtesa të lyera me gëlqere, pamje malore e bregdete të qeta.

Plazhi i Gjipesë kryesisht frekuentohet nga turistët. Për të arritur aty, bëni një shëtitje 45 minutëshe dhe shijoni qetësinë e ujin e pastër.

Ushqimi është një tjetër arsye tjetër për ta vizituar. Kuzhina shqiptare është një kombinim i ndikimeve turke e mesdhetare dhe çmimet ende janë relativisht të ulëta.

Ju mund të merrni një vakt të plotë në një restorant për më pak se 10 euro e ushqimet e shpejta lokale janë edhe më të lira. Pjatat popullore përfshijnë gjithashtu, byrekun (i mbushur me djathë ose mish), fërgesën (djathë i pjekur dhe speca) e tavën e kosit (qengj i pjekur, oriz, kos dhe vezë).

Turizmi në Shqipëri është rritur me shpejtësi vitet e fundit, me gati 125% që nga 2019-a, por shumë pjesë të Rivierës ende janë të pacënuara.

Nëse po kërkoni një alternativë më të përballueshme e më të qetë kundrejt Greqisë apo Italisë, bregdeti jugor i Shqipërisë mund të jetë vendi ideal këtë verë.