“Me rritjen e temperaturave në Europën Jugore dhe rifillimin e fluturimeve sezonale drejt destinacioneve me diell, ndoshta po kërkoni një alternativë për pushimet tuaja të ardhshme verore”, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.
Amalfi dhe vargu i fshatrave të tij shkëmborë të përqafuar nga detet e kaltra, Riviera Franceze dhe Kroacia me udhëtimet e saj piktoreske bregdetare dhe pushimet në ishuj mbeten destinacionet klasike më të frekuentuara nga turistët. Por, ndoshta po kërkoni diçka pak më ndryshe këtë herë, jashtë të zakonshmes, ku të ndërthuren si sharmi historik ashtu edhe shërbime moderne turistike dhe ndoshta plazhe të bukura me rërë të bardhë të ngjashme me Karaibet.
Zbuloni Sarandën, Perlën e Rivierës Shqiptare
Një qytet turistik në zhvillim e sipër që zë një gji në formë patkoi, Saranda është e vendosur midis kodrave të gjelbërta të Shqipërisë, në zemër të Europës dhe Detit Jon me ngjyrë të kaltër. Ka shumë për të zbuluar në të gjithë Shqipërinë, por nëse është hera juaj e parë që eksploroni destinacionin me rritjen më të shpejtë në Europën Juglindore, Saranda është ndoshta vendi ideal për të nisur itinerarin.
Destinacioni turistik më i zhvilluar i Shqipërisë është shtëpia e një shëtitoreje moderne me palma, një varg hotelesh buzë detit me çmime të përballueshme krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut dhe një numër monumentesh të lashta që do t’ju kthejnë pas në kohë, në Botën e Lashtë. Në përgjithësi, Saranda ofron një vend pushimi veror europian krejtësisht të përballueshëm.
Kostoja mesatare e një vakti në një restorant të lirë është rreth 11 dollarë, kostot e transportit mesatarisht 8 dollarë në ditë, duke përfshirë autobusët dhe taksitë lokale dhe nëse jeni të kujdesshëm me buxhetin tuaj, mund t’ia dilni mbanë fare mirë me 350 dollarë për javën.
Mirë se vini në “Karaibet e Europës”
Vizitoni Ksamilin, fshat bregdetar i krahasuar me Maldivet e që po shndërrohet ngadalë në një destinacion turistik vetëm 25 minuta larg me makinë nga Saranda. Ndryshe nga shumica e plazheve në bregdetin Jon, Ksamili është i mbushur me rërë të butë e të bardhë dhe i kombinuar me ujërat kristalore, vilat luksoze e skelat piktoreske prej druri që shtrihen drejt ishujve të gjelbër në distancë duke ofruar një pamje “tropikale”. Vlen të përmendet se Ksamili është ndoshta zona më e vizituar e Sarandës.
Sharmi i Lashtë i pamohueshëm
Përveç vijës bregdetare të mrekullueshme, Saranda është e njohur për rolin e saj si një portë hyrëse në një nga rajonet më të ngarkuara, historikisht, të pellgut të Mesdheut. Rreth gjysmë ore me makinë në jug të qytetit, Parku Kombëtar i Butrintit është një zonë e madhe arkeologjike që përfshin një qytet të rrënuar greko-romak, me një teatër antik, tempuj të panumërt e një fortesë në majë të kodrës me pamje nga ligatinat piktoreske.
Kalaja mesjetare e Lëkurësit ofron një panoramë marramendëse të qytetit dhe është vendi perfekt ku mund të shijoni perëndimin e diellit. Brenda ka një restorant, kështu që mund të shijoni një vakt tradicional shqiptar dhe verën vendase ndërsa shikoni perëndimin e diellit mbi detin Jon.