Romanca e përfolur mes Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton mund të mos jetë aq perfekte sa duket në fotografitë që po bëjnë xhiron e botës.
Pas paraqitjes së tyre të parë publike plot përqafime dhe puthje gjatë Çmimit të Madh të Monakos, një eksperte e gjuhës së trupit ka analizuar sjelljen e çiftit dhe ka ngritur pikëpyetje mbi dinamikën e marrëdhënies së tyre.
Sipas saj, momentet romantike mes Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton dukeshin më shumë të nxitura nga Kim sesa nga shtatë herë kampioni i botës në Formula 1.
Ekspertja vuri në dukje se gjatë festimeve pas garës, ku Hamilton përfundoi në vendin e dytë, ishte Kim ajo që shfaqi më shumë afeksion fizik.
Në një nga momentet më të komentuara, modelja dhe sipërmarrësja e përqafoi fort pilotin dhe e afroi më shumë pranë vetes, duke e kthyer një përshëndetje të thjeshtë në një skenë më romantike.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendje ishte momenti kur Hamilton e lagu Kim me shampanjë gjatë festimeve. Sipas ekspertes, gjesti mund të interpretohet si mungesë ndjeshmërie ndaj partneres, duke pasur parasysh përgatitjen dhe paraqitjen e saj luksoze për eventin.
Megjithatë, fotografitë e realizuara më vonë në jahtin e pilotit treguan një anë më të afërt të çiftit. Të dy u panë duke shkëmbyer puthje dhe përqafime, ndërsa Kim mbante krahët rreth qafës së Hamiltonit në një mënyrë që u interpretua si shenjë përkushtimi dhe afërsie.
Pavarësisht analizave, burime pranë çiftit pretendojnë se marrëdhënia po bëhet gjithnjë e më serioze. Sipas raportimeve, familja e Kim e pëlqen Hamiltonin dhe ylli i reality show-ve është shumë e interesuar për këtë lidhje.
Vetë Hamilton foli publikisht për Kim gjatë fundjavës në Monako, duke e falënderuar për mbështetjen që i ka dhënë.
Është e mrekullueshme ta kem këtu dhe të kem mbështetjen e saj. Ajo është pranë meje çdo ditë
-u shpreh ai.
Romanca mes dy yjeve u përfol për herë të parë në fillim të këtij viti, ndërsa dalja e tyre në Monako konsiderohet si konfirmimi më i fortë deri tani se mes tyre ka më shumë se miqësi. Megjithatë, analizat e fundit kanë bërë që fansat të pyesin veten nëse pas fotove perfekte fshihet një histori dashurie që ende po kërkon ekuilibrin e saj.