Showbiz

Familja mbretërore përgatitet për një ndryshim të madh teksa fëmijët e Princit William dhe Kate Middleton nisin vitin e ri shkollor?

Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis janë rikthyer në bankat e shkollës më 3 shtator, duke nisur një vit të ri akademik në shkollën private “Lambrook” në Berkshire.

Por ky vit ka një domethënie të veçantë, pasi do të jetë i fundit ku tre fëmijët e Princit dhe Princeshës së Uellsit do të ndjekin së bashku të njëjtën shkollë.

George, tashmë 12 vjeç, pritet që verën e ardhshme të transferohet në “Eton College”, një prej institucioneve më prestigjioze në Mbretëri.

Familja mbretërore kishte zgjedhur Lambrook-un në vitin 2022, pas zhvendosjes nga Londra në Windsor. Shkolla është e njohur për standardet e larta dhe hapësirat moderne që ofron: një pishinë 25 metra, studio arti, fusha sportive dhe ambiente të përshtatshme për zhvillimin e talenteve dhe aktivitetet fizike të nxënësve. Këto përfitime e kanë bërë një zgjedhje ideale për fëmijët mbretërorë.

Paralelisht me nisjen e vitit të ri shkollor, familja e Princit William dhe Kate Middleton po përgatitet edhe për një ndryshim të rëndësishëm në jetën e tyre private.

Ata do të zhvendosen nga Adelaide Cottage në një rezidencë më të madhe brenda të njëjtit kompleks mbretëror. Bëhet fjalë për Forest Lodge, një vilë me tetë dhoma, e cila përshkruhet si “shtëpia e përhershme” e çiftit dhe fëmijëve të tyre.

Rinovimet dhe shpenzimet e zhvendosjes do të mbulohen nga vetë çifti mbretëror.

Ky kapitull i ri për familjen vjen pas një periudhe sfiduese. Si Princesha Kate, ashtu edhe Mbreti Charles janë përballur me diagnoza kanceri, duke kaluar muaj të vështirë mes trajtimeve dhe rikuperimit. Aktualisht, Kate ndodhet në fazën e shërimit, ndërsa trajtimi i Mbretit vazhdon ende.

Me një vit të ri shkollor për fëmijët dhe një shtëpi të re në horizont, familja e Princit dhe Princeshës së Uellsit po hedh hapat e radhës drejt një jete më të qetë dhe të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që kanë përjetuar së fundmi.