Anthony Fauci, Drejtor i Institutit të Sëmundjeve Infektive tha se nëse rritet ritmi i vaksinimit, Shtetet e Bashkuara mund ta vendosin COVID-19 nën kontroll deri në fillim të vitit të ardhshëm. Fauci tha se miratimi i plotë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave për vaksinën Pfizer-BioNTech hap rrugën për vaksinimin e më shumë njerëzve.
Do të doja t’u bëja thirrje atyre që nuk janë të vaksinuar të kuptojnë se ne kemi aftësinë, ta shkurtojmë kohën e fundit të kësaj pandemie.
Pasi Administrata e Ushqimit dhe Barnave i dha miratimin e plotë vaksinës së Pfizer dhe Biontech, presidenti amerikan Joe Biden, i kërkoi sektorit privat dhe qeverive lokale të bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për punonjësit e tyre.
Pentagoni duket se do të jetë i pari që do të bëjë realitet kërkesën e Biden. Pas aprovimit të plotë nga FDA, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të përfshinte vaksinën në listën e injeksioneve të detyrueshme për personelin ushtarak amerikan.
Ndërkaq, Rregullatori i barnave në Indi ka miratuar vaksinën e parë të ADN-së në botë kundër COVID-19 për përdorim urgjent. Sipas studimeve dhe testimeve të kryera nga prodhuesi i vaksinave “Cadila Healthcare”, vaksina me tre doza ZyCoV-D parandaloi sëmundjen simptomatike në 66% të atyre që u vaksinuan.
Njerëzit e vaksinuar me dy doza janë paralajmëruar që të kenë kujdes për pesë simptoma që mund të tregojnë se janë infektuar me COVID. Hulumtimi i fundit ka treguar se kushdo që kap variantin Delta pavarësisht se ka pasur marrë dy dozat e vaksinës ka shumë gjasa të zhvillojë simptoma. Duke u bazuar në gjetjet e tyre ekspertët po paralajmërojnë njerëzit të mos mendojnë se janë imunë nga infeksioni.