Bota

Faza e parë e planit Trump për paqen, liderët botërorë përshëndesin akordin!

Presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi se Izraeli dhe Hamasi e arritën marrëveshjen e shumëkërkuar për armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve, sipas planit të tij, për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në enklavën palestineze. Bota reagoi:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani:

Një moment përcaktues për paqen. Paqe që është e urgjente. Paqe që ka vonuar shumë”, shkroi Osmani në X.

Presidenti Donald Trump dhe administrata e tij kanë treguar udhëheqje dhe përkushtim të vërtetë për të sjellë paqe të qëndrueshme si për izraelitët, ashtu edhe për palestinezët, si dhe një përkushtim të palodhur për t’i dhënë fund vuajtjeve që breza të tërë njerëzish të pafajshëm kanë përjetuar.

Mirënjohja jonë shkon gjithashtu për ndërmjetësuesit nga Katari, Egjipti dhe Turqia për përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj paqes dhe për rolin e tyre thelbësor në realizimin e këtij përparimi historik.

Kryeministri australian, Anthony Albanese:

Australia mirëpret njoftimin e presidentit Trump se Izraeli dhe Hamasi kanë nënshkruar fazën e parë të planit për të sjellë paqe në Gazë, tha Albanese në një deklaratë të përbashkët me ministren e Jashtme, Penny Wong.

Kryeministri britanik, Keir Starmer:

E mirëpres lajmin se është arritur një marrëveshje për fazën e parë të planit të paqes së presidentit Trump për Gazën. Ky është moment lehtësimi i thellë që do të ndihet në mbarë botën, veçanërisht për pengjet, familjet e tyre dhe popullsinë civile të Gazës, që kanë përjetuar vuajtje të paimagjinueshme gjatë dy viteve të fundit.

Global Affairs Canada që merret me marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore të vendit:

Kanadaja mirëpret marrëveshjen e Izraelit dhe Hamasit për të zbatuar fazën e parë të planit të paqes të propozuar nga presidenti Trump dhe të ndërmjetësuar nga Katari, Egjipti dhe Turqia.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres:

Mirëpres njoftimin për një marrëveshje për sigurimin e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Gaza, bazuar në propozimin e paraqitur nga presidenti Donald Trump. Vlerësoj përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, Katarit, Egjiptit dhe Turqisë në ndërmjetësimin e këtij përparimi jetik.

Vetë Trump deklaroi:

Jam shumë krenar të njoftoj se Izraeli dhe Hamasi e kanë nënshkruar fazën e parë të Planit tonë të Paqes. Kjo do të thotë se të gjithë pengjet do të lirohen shumë shpejt dhe Izraeli do t’i tërheqë trupat e tij në një vijë të dakorduar si hapi i parë drejt një paqeje të fortë, të qëndrueshme e të përjetshme.