Bota

E shumëpritur, Trump shpall paqen Izrael-Hamasit/Pengjet kthehen të hënën!

Një pikë kthese në konfliktin e Lindjes së Mesme, në ditën e 734-rt, pas dy viteve luftë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë pranuar fazën e parë të planit amerikan të paqes.

Unë besoj se pengjet do të kthehen të hënën dhe se trupat e të vdekurve do të kthehen gjithashtu. Izraeli do të tërheqë forcat e tij sipas një linje të rënë dakord, si një hap i parë drejt një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme.

Më tej shtoi:

Kjo është një ditë e madhe për botën arabe dhe myslimane, Izraelin, të gjitha kombet përreth dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falënderojmë ndërmjetësit e Katarit, Egjiptit e Turqisë, të cilët punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike e të pashembullt.

Reagoi edhe kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu, i cili u shpreh:

Me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi.

Firmosja e marrëveshjes është planifikuar për në orën 12:00 me atë lokale (11:00 në vendin tonë). Akordi mes Izraelit dhe Hamasit ka të bëjë me hapat e parë të një kuadri paqeje të mbështetur nga SHBA-të për Gazën, por jo me tërësinë e planit gjithëpërfshirës prej 20 pikash të paraqitur javën e kaluar nga presidenti Donald Trump.

Kjo theksohet nga zyrtarë amerikanë që kanë dijeni për negociatat, të cituar nga ABC News. Burime të medias amerikane thanë se bisedimet u përqendruan pothuajse ekskluzivisht në atë që do të ndodhë në ditët dhe javët e para të marrëveshjes:

Tërheqja e pjesshme e Izraelit nga Gaza dhe shkëmbimi i gati 50 pengjeve, të gjallë e të vdekur, me të burgosur palestinezë. Disa nga pikat më të vështira, të tilla si qeverisja e Gazës dhe çarmatosja e luftëtarëve të Hamasit do të duhet të negociohen ende në të ardhmen, theksojnë zyrtarët në Amerikë.