Rajoni

Fermerët grekë zgjerojnë protestat në 4 rajone, bllokadë edhe gjatë festave!

Protestat e fermerëve në Greqi po kulmojnë në rajonin e Thesalisë, ku autostrada kombëtare Athinë–Selanik dhe E-65 mbeten të mbyllura. Bllokadat tashmë po shtrihen në rajonet Maqedoni, Thraki, Epir dhe Greqinë Perëndimore. Në Kiato pati përplasje me policinë dhe përdorim të gazit lotsjellës kur fermerët tentuan të bllokojnë “Olympia Odos”.

Policia Kufitare Greke informoi se këtë të enjte, nga ora 19:00 deri në orën 22:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë-Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar dhe do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca .

Harta e bllokadave të reja mund të zgjerohet teksa fermerët sipas CNN grek mund të bllokojnë transportin edhe gjatë festave, duke kërkuar angazhime nga qeveria për të gjetur menjëherë një zgjidhje lidhur me koston e lartë të prodhimit, vonesat në pagesat e subvencioneve të BE dhe goditjen e madhe nga sëmundja e lisë së deleve.

Në ditët në vijim pritet të vendoset në një takim të ri mbi të ardhmen e mobilizimeve të tyre. Nga ana e saj, qeveria, sipas mediave greke, po shqyrton disa masa shtesë për t’u treguar fermerëve se është në anën e tyre.

Për të hënën e ardhshme në 8 dhjetor, fermerët e Volosit kanë vendosur të bllokojnë portin e qytetit nga toka dhe deti. Vendime të rëndësishme priten nga komiteti kombëtar, që do të mblidhet të dielën, më 14 dhjetor në Nikeja.

Të mërkurën, kryeministri Kyriakos Mitsotakis theksoi se këtë vit fermerët kanë marrë gjysmë miliard euro më shumë në subvencione bujqësore krahasuar me një vit më parë, dhe përcolli mesazhin: “po dialogut, jo veprimeve ekstreme.”

Ai theksoi se synimi është të përfitojnë prodhuesit e ndershëm, ndërsa ata që janë identifikuar me deklarime të rreme ose që kanë çështje penale nuk do të marrin subvencione./sh.com