Greqia është paralizuar nga protestat e fermerëve që kanë bllokuar akset kombëtare për vonesat me dhënien e subvencioneve të BE-së pas një skandali korrupsioni. Edhe sot, aksi Kakavijë-Janinë në fshatin Kallpaq do të jetë i bllokuar në orarin 15:00-20:00 (me orën shqiptare).
Policia kufitare e Kakavijës njofton qytetarët të marrin masa dhe të planifikojnë oraret e udhëtimit. Të vetmet automjete që do të lejohen të kalojnë janë vetëm ato me emergjenca shëndetësore.
Fermerët grekë, kanë vendosur të vijojnë protestën deri më 5 dhjetor dhe të mbajnë të bllokuara akse të rëndësishme rrugore, porte e pika doganore.
Njoftimi i plotë:
Policia Kufitare Kakavijë, nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët.
Do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore. Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.