Gjyqi ndaj reperit dhe biznesmenit Sean “Diddy” Combs nisi të hënën, më 12 maj, me dëshmi tronditëse dhe akuza të rënda. 55-vjeçari përballet me pretendime për trafikim qeniesh njerëzore, abuzim seksual dhe drejtim të një rrjeti kriminal, të ngritur sipas prokurorisë për shfrytëzim dhe dhunë ndaj grave.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, prokurorët akuzuan Diddy-n për organizimin e festave të ashtuquajtura “Freak Offs”, ku gratë thuhet se detyroheshin të kryenin akte seksuale nën ndikimin e drogës.
Këto skena dyshohet se regjistroheshin, ndërsa ndihmësit e tij mbulonin gjurmët.
Një nga dëshmitaret kyçe në çështje është ish-partnerja e tij, këngëtarja Cassie Ventura.
Ajo deklaroi se ishte abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht nga Combs dhe ishte detyruar të merrte pjesë në festa degraduese.
Ndër incidentet më të rënda të përmendura në sallën e gjyqit përfshihej një grua e detyruar të urinonte në gojë dhe një tjetër që u var nga ballkoni. Një grua e tretë pretendoi se Combs i kishte shtypur kokën me këmbë.
Avokatja mbrojtëse e Combs, Teni Geragos, pranoi se ka pasur dhunë fizike në marrëdhëniet e kaluara të klientit të saj, por mohoi akuzat për trafikim.
Ajo e përshkroi sjelljen e reperit si “ekscentrike”, duke ia atribuar problemet xhelozisë dhe abuzimit me substanca.
Në gjykatë dëshmuan edhe dy dëshmitarë: oficeri i sigurisë Israel Florez, i cili kujtoi momentin kur gjeti Cassie-n të frikësuar dhe të fshehur në një hotel në Los Angeles në vitin 2016, dhe Daniel Phillip, një eskortë 41-vjeçare.
Ai pohoi gjithashtu se Combs e kishte goditur me një shishe alkooli për shkak të një vonese.
Gjyqi pritet të vijojë me dëshmi të tjera që mund të hedhin më shumë dritë mbi skandalin që ka tronditur industrinë e muzikës.