Këngëtari Al B. Sure! ka bërë akuza të forta ndaj Diddy-t, duke deklaruar publikisht se është i gatshëm të përdorë “frymën e fundit” për ta rrëzuar atë.
Në një intervistë të fundit për FOX 5 New York, ai foli për kujtimet me ish-partneren e tij të ndjerë, Kim Porter, dhe ngriti dyshime të reja rreth vdekjes së saj.
Al pretendon se Kim, e cila vdiq në vitin 2018 në moshën 47-vjeçare, shpesh e paralajmëronte që të ruhej nga Diddy.
Ai sfidon konkluzionin zyrtar të mjekësisë ligjore, që deklaroi si shkak të vdekjes një formë akute të pneumonisë, duke e quajtur të pamundur që një grua e shëndetshme të ndërronte jetë në mënyrë kaq të papritur.
Sipas këngëtarit, autoritetet federale që po hetojnë Diddy-n për trafik seksual e kanë ftuar të dëshmojë, dhe ai së bashku me avokatin e tij janë të gatshëm të paraqiten në gjykatë.
Ai shkon edhe më larg, duke pretenduar se Diddy ka vënë një shpërblim për kokën e tij dhe ka organizuar një fushatë të gjerë për ta diskredituar – ngjarje që sipas tij çuan në përkeqësimin e shëndetit dhe futjen në koma në vitin 2022, për shkak të dështimit të mëlçisë.
Për herë të parë, Al B. Sure! sugjeron se Diddy mund të ketë qenë pas kësaj ngjarjeje që i rrezikoi jetën, duke thënë:
Jam i vetmi që ka mbetur gjallë
– një deklaratë që aludon se të gjithë ata që kanë folur kundër Diddy-t nuk janë më.
Megjithatë, jo të gjithë ndajnë të njëjtin qëndrim. Quincy Brown, djali biologjik i Al-it dhe Kim Porter-it, ka deklaruar publikisht se do të qëndrojë pranë Diddy-t, të cilin e quan “babain e tij” deri në fund.
Ndërkohë, fëmijët e Kim Porter kanë theksuar në një deklaratë të dhënë në shtator se:
Ka qenë shumë e vështirë të pranojmë se si mund të na merrej kaq herët, por shkaku i vdekjes së saj është përcaktuar prej kohësh. Nuk ka pasur lojë të pistë. Dhimbja është një proces i përjetshëm, dhe kërkojmë respekt ndërsa vazhdojmë të përballemi me humbjen.
Prokurorët kanë bërë të ditur se gjatë gjyqit penal ndaj Diddy-t, emrat e Kim Porter dhe Al B. Sure! nuk do të jenë në fokus.
Nga kampi i Diddy-t nuk ka pasur ende asnjë reagim lidhur me deklaratat e Al B. Sure.