Historia e komunitetit të shqiptarëve arbëreshë në Itali, lidhjet e tyre të forta me origjinën, traditat e kulturën që për gati 6 shekuj i mban të bashkuar me njëri-tjetrin në jetën e tyre të zakonshme në disa qyteza të vogla në jug të Italisë, është rrëfyer në një film kinematografik me metrazh të gjatë me titullin “Arbëria”. Ky film është pritur mjaft mirë nga publiku që në momentin kur është shfaqur për herë të parë në sallat kinematografike italiane në territorin e rajonit të Kalabrisë.

Por tani “Abëria” do të vijë edhe tek një audiencë akoma dhe më e gjerë. Duke filluar nga nesër, më 23 dhjetor, filmi i cili fitoi vëmendjen e të gjithë publikut, e aq më tepër të shqiptarëve që jetojnë në trojet italiane, do të shfaqet në platformën gjigante të transmetimit, në Netflix.
“Arbëria” është realizuar nga skenaristja e regjisorja me origjinë kalabreze Francesca Olivieri, e cila jeton në Francë dhe është prodhuar nga shtëpia kinematografike “Open Fields Production” në bashkëpunim me “Lucana Film Commision”, “Calabria Film Commision”, “Ministria italiane e Kulturës” e nga Enti Publik i shoqatës së autorëve e botuesve italianë. Në qendër të këtij filmi është historia e Aidës, një stiliste e suksesshme mode e cila jeton prej vitesh në një qytet metropolitan evropian. Aida me origjinë arbëreshe e lindur dhe e rritur në qytezën e vogël Shën Katerina Arbëreshe, e pozicionuar mes Calabrisë dhe rajonit të Basilicatës, pas vdekjes së babait të saj rikthehet në vendlindje.

Në një takim brezash, Aida zbulon vetëdijen e përkatësisë së saj arbëreshe, krenarinë e harruar e përmes një udhëtimi në vendet e kujtimeve fëminore, gjen gjuhën, traditat e atmosferën e madhështisë së kulturës arbëreshe. Filmi mund të kuptohet si një nga të parët kushtuar arbëreshëve të Italisë. Roli i Aidës interpretohet nga artistja nga Roma por me origjinë kalabreze, Caterina Misasi, e ndërsa në kastin e aktorëve merr pjesë dhe aktorja me origjinë shqiptare Brixhilda Shqalsi, këngëtarja e njohur arbëreshe Anna Stratigo, etj.